Publikohet audio regjistrimi ku Trump flet për dokumentet e klasifikuara

Mediat amerikane kanë publikuar një audio regjistrimi, ku dyshohet se dëgjohet ish-presidenti Donald Trump, duke u mburrur se kishte një dokument të klasifikuar gjatë takimit të vitit 2021, transmeton Anadolu.

Në regjistrimin gati dy minutësh të transmetuar për herë të parë nga CNN, Trump pranoi se nuk kishte hequr shenjën e klasifikimit të dokumenteve përkatëse përpara se të largohej nga detyra.

Biseda u zhvillua në klubin e tij të golfit në Bedminster, New Jersey me dy punonjës, botuesin dhe shkrimtarin e librit të tij të ardhshëm.

Trump foli për mbajtjen e një dokumenti sekret të Pentagonit me plane për të sulmuar Iranin, duke përmendur Mark Milley, kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane.

“Epo, me Milley-in të shohim. Unë do t’ju tregoj një ekzemplar”, dëgjohet duke thënë Trump.

“Ai tha se dua të sulmoj Iranin, a nuk është e mahnitshme? Unë kam një grumbull të madh letrash. Kjo gjë sapo doli, shikoni. Ky ishte ai. Më paraqitën mua këtë”, thotë Trump, duke lëvizur letrat.

“Është si shumë konfidenciale, sekrete. Ky është informacion sekret. Shikoni, shikoni këtë. Ju sulmoni dhe …”, tha Trump.

“Shiko, si president, unë mund të hiqja shenjën e klasifikimit, por tani nuk mundem, e dini. Por kjo është klasike. A nuk është interesante? Është kaq e lezetshme”, thotë Trump në regjistrim.

Trump u deklarua i pafajshëm për 37 akuza të ngritura nga prokurorët federalë më 14 qershor në lidhje me mbajtjen e supozuar të dokumenteve të klasifikuara të qeverisë pasi u largua nga detyra.

Regjistrimi audio i publikuar u përfshi në provat e prokurorisë kundër Trump.

Shekulli Agency