Fillimi LajmeNATO: Raketa që ra në Poloni mund të jetë lëshuar nga Ukraina

NATO: Raketa që ra në Poloni mund të jetë lëshuar nga Ukraina

nga Shekulli Agency

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se raketa që ra dje në Poloni dhe e cila shkaktoi vdekjen e dy personave, mund të jetë lëshuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës kundër raketës lundruese të Rusisë dhe se ngjarja nuk është sulm i qëllimshëm.

Stoltenberg kryesoi mbledhjen urgjente që ambasadorët e vendeve të NATO-s mbajtën pas rënies së raketës në Poloni.

Në një deklaratë për gazetarët pas takimit, Stoltenberg tha se në Poloni vazhdon hetimi lidhur me çështjen dhe se duhet të presin si rezultat i kësaj.

Ai tha se ngjarja që ndodhi dje filloi pasi Rusia nisi valën e një sulmi të gjerë raketor ndaj shumë pikave në Ukrainë.

“Nuk ka ndonjë tregues se ky është sulm i qëllimshëm. Nuk ka tregues se Rusia ka kryer veprime ushtarake agresive kundër NATO-s. Analiza jonë e parë tregon se ngjarja buron nga një raketë e lëshuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës kundër raketës lundruese të Rusisë. Por, më duhet ta them hapur se ky nuk është gabimi i Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg nuk dha informacione për kontaktin me Rusinë

Në pyetjen nëse ka pasur apo jo ndonjë kontakt mbrëmë mes Rusisë dhe NATO-s, Stoltenberg tha se mes dy palëve ka autoritete të komunikimit por se nuk mund të japë informacion se çfarë lloj kontaktesh ka pasur në 24 orët e fundit.

Stoltenberg theksoi se presidenti i Polonisë, Andrej Duda dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden kanë zhvilluar mbrëmë bisedë dhe se NATO-ja do të vazhdojë të jetë në gatishmëri.

Lidhur me pyetjen nëse është përcaktuar apo jo ndonjë raketë ruse në rajon, Stoltenberg tha se hetimi vazhdon dhe se nuk mund të japë informacione të detajuara.

Kreu i NATO-s potencoi se Aleanca është e unifikuar dhe se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies