Fillimi LajmeNATO do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë

NATO do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë

nga Shekulli Agency

NATO njoftoi se do të dërgojë përforcime në Misionin Paqeruajtës (KFOR) në Kosovë, ku ditët e fundit janë rritur tensionet, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli thuhet se vendimi për dërgimin e trupave shtesë është marrë për shkak të ngjarjeve të fundit dhe lëndimit të 30 ushtarëve të KFOR-it në këto incidente.

Në kuadër të kësaj u mobilizuan Forcat Operacionale të Shpëtimit për Ballkanin Perëndimor, të cilat janë gati për t’u dislokuar brenda 7 ditëve. Rezervistët e madhësisë së regjimentit janë të vendosur në Itali dhe mobilizohen në kohë krize ose përballë kërcënimit në rritje, me urdhër të Komandantit të Forcave të Përbashkëta të NATO-s.

Përveç kësaj, një batalion i ushtarëve shumëkombësh u urdhërua të shpejtojë gatishmërinë për t’u vendosur nga 14 ditë në 7 ditë për të mbështetur KFOR-in në rast nevoje.

Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali Stuart Munsch deklaroi se dërgimi i forcave shtesë në Kosovë u vendos si masë paraprake për të ofruar kapacitetet që i duhen KFOR-it për të garantuar sigurinë.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet që cenojnë paqen në të gjitha rajonet e Kosovës”, tha Munsch.

Theksohet se Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli monitoron nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë të koordinohet me KFOR-in për të ofruar kapacitetet dhe forcat që mund t’i nevojiten.

– Janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it në Kosovë

Më 26 maj, serbët e Kosovës protestuan kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë që fituan zgjedhjet lokale të 23 prillit në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ku serbët janë të përqendruar në veri të Kosovës.

Ndërkaq ka ndodhur një përplasje mes serbëve lokalë dhe Policisë së Kosovës, e cila është dërguar në veri për të mbrojtur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës. Më 29 maj, 30 ushtarë të KFOR-it u plagosën pasi serbët e Kosovës u përleshën me ushtarët e KFOR-it që ruanin ndërtesat komunale

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies