
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë, transmeton Anadolu.
Kërkesa në fjalë u miratua mes tensioneve në seancën e sotme parlamentare që zgjati rreth 9 minuta, me 75 vota pro nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë Berisha ishte i pranishëm në seancë.
Edhe seanca e sotme parlamentare u përfshi nga tensionet dhe incidentet, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare kanë bllokuar foltoren me karrige, kanë hedhur tymuese, si dhe u përplasën me punonjësit e Gardës së Shqipërisë gjatë kontrollit dhe hyrjes në sallë.
Seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet, pasi deputetët opozitarë pretendojnë se nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen nismat dhe kërkesat e tyre.
Pas miratimit të kërkesës nga Kuvendi për heqjen e imunitetit parlamentar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Shqipërisë duhet të vendosë në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Berisha.
Më 12 dhjetor, SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Aktualisht ndaj ish-kryeministrit Berisha është në fuqi masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, i dyshuar për korrupsion, ndërkohë Berisha nuk u paraqit pranë prokurorisë sipas vendimit në fjalë dhe prokuroria kërkoi autorizimin nga Kuvendi për ndryshimin e masës.
Më 20 tetor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për Berishën, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa “arrest me burg” dhe më pas “arrest në shtëpi”, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani” në Tiranë.
Ish-kryeministri Berisha është i shpallur më parë person “non grata” nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe.
Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 ai u zgjodh deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë.
Aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë Berisha njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda Partisë Demokratike.