
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza dje ka paralajmëruar për një ndërprerje të shërbimeve shëndetësore në të gjithë Rripin e Gazës pasi spitalet nuk kanë shtretër të mjaftueshëm për të akomoduar të plagosurit nga bombardimet e Izraelit, raporton Anadolu.
“Spitalet nuk kanë më kapacitete të shtretërve. Të plagosurit dhe të sëmurët janë në dysheme ndërsa agresioni izraelit intensifikohet”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Deklarata më tej shton se ndërprerja e vazhdueshme izraelite e energjisë elektrike, ujit dhe karburantit paraqet një “rrezik për jetën e të plagosurve dhe të sëmurëve dhe do të çojë në një katastrofë shëndetësore dhe mjedisore”.
“Ne e konsiderojmë pushtuesin izraelit plotësisht përgjegjës për jetën e të plagosurve dhe të sëmurëve, pasi ata rrënuan sistemin shëndetësor dhe dobësuan kapacitetet e saj”, shton deklarata.
Ministria paralajmëroi se situata shëndetësore në Gaza “nuk mund të durojë heshtjen” dhe “duhet të ketë veprime të menjëhershme për të siguruar një korridor të sigurt për furnizimet mjekësore”.
Njoftimi nga autoritetet shëndetësore të Gazës vjen në kohën e intensifikimit të bombardimeve izraelite në Gaza, të cilat kanë lënë mijëra njerëz në nevojë për shërbime mjekësore dhe të kujdesit shëndetësor.
Të hënën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, urdhëroi “rrethim të plotë” në Rripin e Gazës në mes të luftimeve të intensifikuara me grupin palestinez Hamas.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi operacion gjithëpërfshirës të quajtur “Tufani i Aksasë” të shtunën në mëngjes. Mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit ndërsa grupet e armatosura hynë në vendbanimet në rajon.
Grupi tha se operacioni ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës së shtuar mes kolonëve.
Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë në qytet nga sulmet izraelite është mbi 1.200, ndërsa 5 mijë të tjerë janë të plagosur.
Gjithashtu raportohet se numri i izraelitëve të vrarë në sulmet e kryera nga Rripi i Gazës së bllokuar ka arritur në 1.300, ndërsa numri i të plagosurve në 3.300.