
LAJMËRIM PËR SHTYP
Ndërkohë që flota humanitare vazhdonte misionin e saj drejt Gazës, raportimet e fundit ndërkombëtare bëjnë të ditur se marina ushtarake izraeliane ka marrë kontrollin e disa prej anijeve të Global Sumud Flotilla në ujërat pranë Qipros.
Disa komando izraeliane janë parë duke hipur në njërën prej anijeve të flotiljes, ndërsa misioni ishte ende në det dhe po përpiqej të arrinte Gazën për të sfiduar në mënyrë paqësore bllokadën dhe izolimin e paligjshëm të popullit palestinez.
Në këtë mision merr pjesë edhe shqiptari Baki Goxhaj, nga kolektivi “Palestina e Lirë”.
Në këtë moment kërkojmë vëmendje maksimale, ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe reagim të menjëhershëm nga institucionet shqiptare për garantimin e sigurisë, të drejtave dhe mbrojtjes konsullore të tij dhe të çdo pjesëmarrësi tjetër në mision.
Pjesëmarrja e tij është mishërim i frymës së palëkundur të solidaritetit Shqiptar me Palestinën dhe vjen në një moment kur “Izraelizimi” i Ballkanit – duke përmendur alarmin e ngritur nga Francesca Albanese, Raportuesja Speciale e OKB-së – po thellohet dhe bashkëfajësia e shtetit shqiptar në sistemet e shtypjes po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ashtu si ndërlidhjet mes brigjeve të Mesdheut, kthyer në fushëbetejën e një sistemi ekonomik të shtypjes, bllokadës, deportimit, vrasjes, burgimit, dhe gjenocidit.
Siç zbardhet gjithnjë e më shumë nga raportimet e shumta, gjenocidi në Gaza është krim ndaj njerëzimit, i cili po mundësohet në nivel ndërkombëtar nga bashkëfajësia ushtarake, politike, ekonomike, diplomatike e shteteve dhe e ashtuquajtur “humanitare”. Kjo është arsyeja përse duhet të ndalojmë çdo veprimtari të tillë, që e mundëson pushtimin, aparteidin dhe gjenocidin.
Misioni humanitar i organizatës “Global Sumud Flotilla”, në koalicion me organizatat e tjera “Freedom Flotilla Coalition”, “Thousand of Madleens To Gaza” dhe të tjera akoma, synon të sfidojë në mënyrë paqësore izolimin dhe rrethimin e paligjshëm të Gazës nga Izraeli, nëpërmjet solidaritetit ndërkombëtar, me një flotilje në det, që mbledh përreth aktivistë, gazetarë, mjekë, artistë dhe qytetarë nga rreth 50 shtete, të përbashkuar nga thirrja për paqe, drejtësi dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut.
Ndërkohë që po zhvillohet Festivali i Eurovision-it, nën thirrjet e vazhdueshme për bojkot dhe përjashtim të Izraelit, Pjesëmarrja shqiptare në këtë flotë, me anë të Bakiut, merr përmasa akoma më të gjera solidariteti e guximi qendrestar. Ajo dëshmon se, si shqiptarë, ballkanas dhe si mesdhetarë, refuzojmë të rrimë heshtur. Refuzojmë të jemi bashkëfajtor me atë që po ndodh në Shqipëri me industrinë e armëve (marrëveshjet e “Kayo”-s me “Leonardo”-n, “Fincantieri”-n dhe “Elbit Systems”-in), me të ashtuquajturën “siguri kibernetike” (si samiti me Izraelin i mbajtur më 12 maj), me bankat e reja dixhitale (“JetBank”), me shpronësimin dhe shkatërrimin e të mirës publike/natyrore (ishulli i Sazanit, ishulli i Zvërnecit, Laguna e Nartës, Rrjolli, Durrësi etj.). Veprimet e qeverive tona nuk na përfaqësojnë, prandaj shpeshherë kemi ngritur zërin për të denoncuar rolin e qeverisë shqiptare nën sloganin “jo në emrin tim”, raste ku Bakiu ka qenë ndër zërat më të fortë.
Liria dhe e drejta e popullit palestinez për vetëvendosje, drejtësi dhe paqe janë larg bërjes realitet, sidomos ngaqë Bordi i Paqes është një projekt imobiljar i paligjshëm privat, dhe ngaqë popullsia, sidomos në Gazë, por jo vetëm aty, po përballet me një krizë të rëndë humanitare të shkaktuar nga shteti i Izraelit dhe nga hallkat e shumta të makinerisë së pushtimit, aparteidit dhe gjenocidit. Ndërkohë vërejmë se ky gjenocid po shtrihet edhe në Bregun Perëndimor, në Liban e më gjerë në Azinë Lindore, në agresionin ndaj Iranit, duke destabilizuar krejt rajonin dhe duke minuar ligjet ndërkombëtare, ashtu si dhe ekonominë botërore.
Ne mbajmë me vete ndjenjat dhe vlerat e një populli që e kupton pushtimin, kolonizimin dhe spastrimin etnik si ngjarje të përjetuar. Kujtojmë gjenocidet që kemi vuajtur në Çamëri, Kosovë e gjetkë; shpëtimin e hebrenjve në një kohë kur ishim vetë të pushtuar dhe të kolonizuar nga Italia dhe Gjermania; çeljen e shtëpive dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë spastrimit etnik nga Serbia; si dhe kemi përjetuar mërgimin dhe dhunën migratore, të cilat vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot e kësaj dite.
Ne qëndrojmë në solidaritet me Palestinën me bindjen se drejtësia që i mohohet dikujt është drejtësi e mohuar gjithkujt. Mesdheu është deti që na lidh me anë të rezistencës, të kujtesës së përbashkët dhe të angazhimit të palëkundur për çlirim, derisa Palestina të jetë e lirë.
I bëjmë thirrje Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ambasadave përkatëse dhe autoriteteve diplomatike shqiptare që të reagojnë menjëherë, të ndjekin në kohë reale fatin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj dhe të kërkojnë garanci të plota për sigurinë, integritetin fizik, të drejtat ligjore dhe lirinë e tij.
Nëse pjesëmarrësit janë ndaluar, izoluar apo transferuar me forcë, autoritetet shqiptare kanë detyrimin të ndërhyjnë pa vonesë dhe të mos qëndrojnë në heshtje përballë një ndërhyrjeje ushtarake ndaj një misioni civil, humanitar dhe paqësor.
Ftojmë të gjithë shqiptarët, aktivistët, organizatat, gazetarët dhe qytetarët solidarë të ndjekin përditësimet, të shpërndajnë informacionin, të kërkojnë reagim institucional dhe të qëndrojnë pranë Bakiut, Flotiljes dhe popullit të Gazës.
Ky është momenti për të mos heshtur e për të treguar dinjitet!
Palestina e lirë.
Liri për Gazën!
Siguri për Bakiun dhe për të gjithë pjesëmarrësit e flotiljes.
MEDIA CONTACT Palestina e lirë
Instagram: https://www.instagram.com/palestinaelire/
Facebook: https://www.facebook.com/palestinaelire
Website: palestinaelire.org
E-mail: palestinaelire@proton.me_______________________________________________________________________
LAJMËRIM PËR SHTYP NGA GLOBAL SUMUD FLOTILLA
përkthyer në shqip nga kolektivi Palestina e Lirë
NJOFTIM I FUNDIT: Anijet Luftarake detare izraelite rrethojnë dhe kapin civilët në Flotiljen Globale Sumud – 250 Milje Detare nga Gaza në një tjetër Përgjim të Paligjshëm në Det të Hapur në Ujëra Ndërkombëtare
18 Maj, 2026
DETI MESDHE — Flotilja Globale Sumud është aktualisht e rrethuar dhe nën përgjim aktiv nga anijet luftarake izraelite në ujëra ndërkombëtare, afërsisht 250 milje detare nga brigjet e Gazës. Ky rrethim ushtarak shënon fillimin e një tjetër agresioni të paligjshëm në det të hapur katër ditë pasi 54 anije civile ngritën spirancën nga Marmaris për të krijuar një korridor humanitar dhe për të thyer rrethimin e paligjshëm të Gazës nga Izraeli.
Një model i piraterisë jashtëgjyqësore në det të hapur
Ky ballafaqim aktiv detare është një vazhdim i drejtpërdrejtë i sulmit të paligjshëm ushtarak izraelit të nisur vetëm dy javë më parë, në brigjet e Kretës. Gjatë përgjimit të mëparshëm,
i vendosur mbi 650 milje detare nga Gaza, brenda zonës greke të kërkim-shpëtimit (SAR),
forcat ushtarake izraelite hipën në mënyrë të paligjshme, sabotuan dhe rrëmbyen 181 mbrojtës të të drejtave të njeriut në 21 anije civile, duke i nënshtruar pjesëmarrësit ndaj paraburgimit të dokumentuar, si dhe dhunës fizike dhe seksuale.
Duke përgjuar flotiljen në një perimetër prej 250 miljesh detare sot dhe në zonën SAR të Qipros, regjimi izraelit vazhdon të dëshmojë një shpërfillje sistematike për ligjin ndërkombëtar detar, lirinë e lundrimit në det të hapur dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit (UNCLOS).
Çmontimi i pretekstit të propagandës së fabrikuar
Ky përgjim ushtarak vjen pas një fushate të koordinuar propagande njëjavore të transmetuar
nga mediat e regjimit izraelit të kontrolluara nga shteti, përfshirë N12 dhe të amplifikuar nga vetë “jahti i tyre i vetëshpallur i propagandës” i mbushur me ndikues që përhapin gënjeshtrat e regjimit izraelit. Ky manual i vendosur kërkon të prodhojë pëlqim për të kryer krime lufte dhe
krime kundër njerëzimit kundër një misioni të shoqërisë civile të paarmatosur dhe jo të dhunshme të përbërë nga mjekë, gazetarë dhe humanitarë.
Ekipi ligjor i Flotiljes Globale Sumud e ka vënë komunitetin ndërkombëtar në njoftim zyrtar se pjesëmarrësit janë plotësisht të paarmatosur, dhe çdo dhunë e ushtruar në këto anije mbetet përgjegjësi e vetme ligjore e regjimit izraelit dhe udhëheqësve të vendit duke lejuar që kjo të ndodhë. Hetimet aktive penale po ecin përpara në njëzet vende, dhe përgjegjësia individuale do të ndiqet gjithashtu në gjykatat ndërkombëtare për të gjitha forcat që zbatojnë këtë rrethim gjenocidal.
Bashkojmë frontet kundër rrethimit: Nga Kreta në Sirte
Ndërhyrja detare e flotiljes ndodh në të njëjtën kohë me një strategji agresive të përmbajtjes në tokë, ku Konvoji Tokësor Global Sumud – i përbërë nga më shumë se 30 automjete duke përfshirë 7 ambulanca të specializuara dhe 20 shtëpi të lëvizshme – është ndalur pranë Sirte, Libi. Autoritetet libiane lindore, duke vepruar nën presionin e drejtpërdrejtë politik nga Egjipti, kanë pozicionuar forca ushtarake për të bllokuar rrugën humanitare tokësore drejt Rafah.
Synimi i njëpasnjëshëm i komponentëve detarë dhe tokësorë të misionit e bën të qartë se rrethimi i paligjshëm i Gazës është zgjeruar në një arkitekturë globale të dhunës, pushtimit dhe pandëshkueshmërisë së zgjeruar. Kjo përfaqëson një projeksion ekstraterritorial të doktrinës “Izraeli i Madh”, duke vendosur ndikim politik të ndërmjetëm dhe forcë ushtarake përgjatë kufijve sovranë ndërkombëtarë për të shtypur mbështetjen e shoqërisë civile për Palestinën.
MEDIA CONTACT FG
Email: media@globalsumudflotilla.org
Tel: +44 1414 620 950
Website: globalsumudflotilla.org
Social: @globalsumudflotilla @wavesofsumud
Follow our announcements on telegram.