
Dhjetëra anëtarë nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar bashkë me një numër qytetarësh kanë protestuar në Prishtinë, sipas tyre, kundër presionit që Serbia po i bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës, raporton Anadolu.
Në protestën e cila nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”, qytetarët përçuan mesazhe mbështetëse për shqiptarët në Luginën e Preshevës, në Serbi.
Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Nikoll Perkaj, tha se arsyeja e kësaj proteste është sipas tij dhuna ndaj shqiptarëve të Luginës nga Serbia.
Ai tha se Serbia po i fshin adresat e shqiptarëve në Luginë duke bërë edhe të tjera veprime të cilat mund të quhen sipas tij “spastrim etnik në heshtje”.
“Ne sot këtu kemi dalë që njëzëri të fuqishëm t’i themi Serbisë që popullata shqiptare në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë dhe Sanxhak t’u njihet e drejta e vet që garanton Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut”, theksoi Perkaj.
Rexhep Abazi nga Medvegja tha se komuna nga e cila vjen ai është prekur shumë nga pasivizimi i adresave të shqiptarëve nga Serbia.
“Sipas meje pasvizimi i adresave do të thotë, humbje e validitetit e të gjitha dokumenteve, duke filluar nga letërnjoftimi, pasaporta, leja e vozitjes, leja e regjistrimit të veturës, pronësia në pronën e patundshme, mundësia e shitje-blerjes dhe më e keqja marrja e të drejtës së zgjedhjet me votë gjë që nuk ndodhë askund tjetër në botë”, theksoi Abazi.