
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një nga sulmuesit në dhe rreth manastirit në Banjskë të Zveçanit është vrarë si kundërpërgjigje e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Policisë, situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.
Policia theksoi se sulmuesit profesionalë në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjskë, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të Policisë së Kosovës.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, shkruan në njoftimin e Policisë.
Rrjedhimisht, për shkak të kësaj situate, policia ka njoftuar se për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), duke ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit.
Rreth orës 3:00 të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit një zyrtar policor mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj njësitit policorë në veri. Pas sulmit ndaj tyre u bë e ditur se zyrtari policor i vrarë ka qenë polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmet ndaj zyrtarëve policorë në dhe rreth Manastirit në Banjskë të Zveçanit po vazhdojnë ende nga rreth 30 persona të armatosur rëndë.