
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka suspenduar një zyrtar policor i cili dyshohet se është përfshirë në plagosjen e një personi në veri të vendit në orët e vona të së hënës.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se po ashtu janë suspenduar edhe tre zyrtarë të tjerë policorë për dyshimin në përfshirje në rastin e njëjtë.
Të hënën në orët e vona një person u plagos nga arma e zjarrit, gjë për të cilën Policia ka zhvilluar hetime intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror me qëllim të zbardhjes së rastit.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, thuhet në njoftim.
I dyshuari sipas Policisë nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në këtë rast, nga ku Policia më herët gjatë ditës kishte lëshuar njoftim se “nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”.
Me qëllim që opinioni të informohet mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, Policia sipas procedurave ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetente për procedura të mëtejshme penale.
“Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, përfundon njoftimi.
I plagosuri, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën.