
Gjykata Themelore e Prishtinës edhe në rigjykim e ka dënuar të hënën me 13 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte në Izbicë, Muhamet Alidemaj, transmeton Anadolu.
Sipas aktakuzës ai “është fajtor se ka kryer veprën penale të bashkëkryerjes ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile’, e sanksionuar sipas ish-ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
“Gjykata të akuzuarin Muhamet Alidemaj e shpall fajtor dhe e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 vjetësh”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, në seancën e mbajtur të hënën ku është shpallur aktgjykimi.
Ismaili ka theksuar se në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit, nga 31 marsi i viti 2021.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e pati shpallur Alidemajn fajtor dhe e pati dënuar me 15 vjet burgim, por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Në aktgjykimin e shkallës së dytë thuhej se në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare që nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 28 mars të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës të Komunës së Skenderajt.
Më 28 mars 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan mizorisht 147 shqiptarë në Izbicë të Skënderajt. Masakra e Izbicës ishte një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës së fundit në Kosovë.