‘Pika në tru’ ua merr jetën kosovarëve

tru-696x446Në muajin maj 36 kosovarëve u ka rënë “pika në tru”. Kjo nuk është vetëm një shprehje mes qytetarësh, por një shqetësim në rritje dhe një nga shkaqet kryesore për vdekjen e pacientëve me probleme neurologjike në Kosovë.

Gjendja e rëndë socio-ekonomike, stresi e telashet tjera me dinamikën e jetës kanë bërë që në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, 124 pacientë të përfundojnë me vdekje nga sulmi në tru, në katër muajt e kaluar të 2016-ës .

Ndërkohë që në vitin e kaluar që nga janari e deri në dhjetor rreth 332 pacientë nuk kanë mundur t’i shpëtojnë aksidentit vascular trunor siç njihet në gjuhën mjekësore, shprehja “pika në tru”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Klinika e Neruologjisë dhënë Gazetës Fjala për vitin 2014, 308 pacient kanë vdekur nga kjo arsye.

Ndërkohë që për vitin 2013, në këtë klinikë kanë qenë të hospitalizuar 1,115 raste të pacientëve me këtë sëmundje, prej te cilëve 228 kanë përfunduar me vdekje.

Stresi shkaktar i sulmit në tru

Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Nexhmedin Shala, shpjegon për Gazetën Fjala se cilat janë arsyet të cilat qojnë deri të sulmi në tru.

“Problemet me sulmin në tru janë pasoja e problemeve paraprake të pacientëve që lëndojnë nga sëmundje e zemrës, sëmundjet e enëve të gjakut, sëmundjet e pezmatimit të enëve të gjakut. Sëmundjet sistemike të enëve të trupit dhe përqindja më e vogël i mbetet atyre anomalive

Sipas specialistit të Neurologjisë, stresi, veset e këqija, tensioni i lartë, yndyrat e larta, dinamika jetësore, si dhe faktorët klimatik janë ndër shkaktarët kryesor që qojnë në sulmin në tru.

Ndryshe vdekshmëria nga kjo sëmundje në Kosovë është në vendin e tretë nga shpeshtësia e shfaqjes.

Shoqata e Neurologëve të Kosovës dhe Klinika e Neurologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kohë më parë kanë vënë në pah nevojën e vetëdijesimit të popullatës por edhe të personelit mjekësor për masat parandaluese të kësaj sëmundjeje dhe njëkohësisht kërkon nga autoritete shtetërore rritjen e mbështetjes për profesionistët në luftë kundër kësaj sëmundjeje.

Ndërkohë që sipas Organizatës botërore të Shëndetësisë rreth 15 për qind e pacientëve janë nën 45-vjeç.

Hemorragjia ndodh kryesisht në moshat mbi 60-vjeç. Rreth 15 për qind e pacientëve janë nën 45-vjeç. Pacientët që arrijnë të mbijetojnë dhe të përmirësohen brenda 48 orëve, kanë shanse të mira për jetesë.

Ndryshe, në Kosovë vdekshmëria nga kjo sëmundje, është në vendin e tretë, krahasuar me vendet e zhvilluara që është zhvendosur në vendin e katërt për nga vdekshmëria.

Shekulli Agency