Prokuroria: Urdhëruam bastisjen e Bashotës, shoferit të tij dhe menaxherit të prokurimit

komuna-605x358Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka lëshuar urdhëresë për bastisjen e shtëpive apo banesave të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, shoferit të tij dhe menaxherit të prokurimit të asaj komune.

Që të tretë dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Konflikti i interesit”.

Kjo është komunikata zyrtare e Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar urdhëresë për bastisje të shtëpive apo banesave të kryetarit të Komunës së Klinës, shoferit të tij dhe menaxherit të prokurimit të asaj komune, te cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit’, në kundërshtim me nenin 422 të Kodit Penal të Kosovës, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “Konflikti i interesit”, nga neni 424, paragrafi 2, të KPRK-së, lidhur me Raportin e auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të komunës së Klinës, për vitin 2014, botuar në qershor 2015, i cili ka gjetur disa shkelje sa i përket menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike.

Këto bastisje janë duke u zhvilluar sot nga zyrtarë të Policisë së Kosovës – Departamenti Special Antikorrupsion në Prishtinë dhe në këtë rast janë të dyshuar 5 zyrtarë të Komunës se Klinës, të cilët me urdhër të prokurorit do të shoqërohen në polici për tu intervistuar.

Shekulli Agency