“Nëse Evropa dështon me krizën e refugjatëve, Shengen-i do të shpërbëhet”

“Unë do të doja të theksoj se kriza e refugjatëve është një moment përcaktues për Evropën”.

volkan-bozkirMinistri i Çështjeve të BE-së i Turqisë Volkan Bozkir, paralajmëroi të mërkurën se Shengeni do të shembet nëse Evropa dështon në përballjen me krizën e tanishme të refugjatëve, raporton (AA).

Bozkir këto komente në lidhje me Shengenin i ka bërë gjatë një paneli diskutimi me temë “Gjendja aktuale e marrëdhënieve mes Turqisë dhe BE-së” në Qendrën për Studime Evropiane pranë Harvard University.

Kriza e Euro-s, fluksi i refugjatëve dhe terrorizmi janë tre kërcënime për integritetin e BE-së, tha ai.

“Unë do të doja të theksoj se kriza e refugjatëve është një moment përcaktues për Evropën. Nëse Evropa dështon në përballjen e krizës së refugjatëve, sistemi Shengen do të shpërbëhet, por më e rëndësishmja është se mund të përjetohet një tragjedi njerëzore”- tha Bozkir.

Duke vënë në dukje lëvizjen e lirë të njerëzve brenda kontinentit, si një prej arritjeve kryesore të integrimit në BE, Bozkir, i cili është kryenegociatori për procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, tha se fluksi i refugjatëve “tani po ndez një krizë që kërcënon thelbin e projektit europian”.

Shekulli Agency