Zëvendëskryeministri i Turqisë dhe zëdhënësi i qeverisë turke, Numan Kurtulmuş në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ka hedhur kritika të ashpra ndaj agjencisë ndërkombëtare për vlerësimin e kreditimit Moody’s.
“Një nga temat që u diskutua në këtë mbledhje ishte edhe ajo e uljes së notës për Turqinë nga Moody’s. Nuk dua të zgjatem dhe të bëj demagogji fjalësh. Vlerësimi i Moody’s për Turqinë është krejtësisht një vlerësim me përmbajtje politike. Nëse do të shikoni tekstin e vlerësimit do të shihni që ka shumë pika politike në të. Por ajo që ne nuk po arrijmë të kuptojmë është fakti se si ka mundësi që perspektiva e vënë në pah nga analistët e Moody’s ndryshoi brenda dy ditëve. E kemi shumë të vështirë të kuptojmë këtë”, tha Kurtulmuş në fjalën e tij.
“Jemi për të hapur kapituj të rinj me BE-në”
Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet me BE-në, Kurtulmuş duke theksuar se janë të mendimit për hapjen e kapitujve të rinj me BE-në në vijim ka shtuar: “Turqia nuk ka asnjë hezitim për hapjen e kapitujve të rinj me BE-në. Veçanërisht përsa i përket kapitujve 23 dhe 24 të cilat kanë të bëjnë me liritë e mendimit dhe të shprehjeve, si dhe lirinë e medias. Turqia nuk ka asnjë gjë për të hezituar në hapjen e këtyre kapitujve dhe nuk ka asnjë motiv për të hedhur hap pas. Ashtu sikurse kapitujt e tjerë të hapur ne si Turqi dëshirojmë që edhe këto kapituj të hapen.”
“Do të hidhen shumë hapa të cilat kanë cilësi reformash”
Kurtulmuş në vijim të fjalës së tij tha se ministri i Drejtësisë Bekir Bozdağ ka sjellë në Këshillin e Ministrave një propozim për disa ndryshime në disa ligje, përfshirë këtu edhe në atë të kodit penal.
“Personat përgjegjës për këtë do të bëjnë një punë të mirë në ditët në vijim dhe më pas do të sillet në Këshillin e Ministrave për aprovim. Do të kemi të bëjmë me hapa të cilat kanë cilësi reformash”, ka thënë ai ndër të tjera.