Zv.kryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus në një darkë iftari organizuar në Ankara me korrespondentët e Kryeministrisë, tha se shpresojnë që normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Të martën zv.Kryeministri Numan Kurtullmush (Numan Kurtulmuş) u takua në një darkë iftari organizuar në një restorant të Ankarasë me korrespondentët e Kryeministrisë.
Kurtullmush foli për kontaktin e parë të nivelit të lartë të vendosur pas tensionimit të marrëdhëniet Turqi-Rusi për shkak të avionit luftarak të rrëzuar 24 nëntorin e kaluar për shkak se kishte shkelur hapësirën ajrore turke pavarësisht se ishte paralajmëruar disa herë.
Duke iu referuar letrave që Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) u kishin dërguar homologëve të tyre rusë me rastin e 12 Qershorit, Ditës Kombëtare të Rusisë, Zv.kryeministri Kurtullmush tha: “Shpresoj që një sinjal i ngjashëm të vijë edhe nga ana Rusisë. Me letrat që kanë dërguar Presidenti dhe Kryeministri ynë kanë hedhur një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Kjo njëherësh deklaron edhe vullnetin e Turqisë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve”.
Vetëm se, theksoi Kurtullmush, një hap i tillë i hedhur nga Turqia nuk nënkupton që Turqia me Rusinë janë dakorduar mbi të gjitha çështjet politike, që i kanë zgjidhur të gjitha problemet në rajon.
“Divergjencat në mendime mund të vazhdojnë në shumë tema të ndryshme, kryesisht në çështjen e Sirisë. Por si përfundim, e rëndësishme për dy vende fqinje është vendosja e paqes mes tyre, është aftësia për të kapërcyer çështjet e shfaqura dhe mund të jenë objekt shqetësimi”, sqaroi Kurtullmush.
As Turqia mund të heqë dorë aq lehtë nga Rusia dhe as kjo nga Turqia. Asnjëra nuk mund ta sakrifikojë tjetrën, theksoi zv.kryeministri turk duke shtuar se ndërmjet dy vendeve fqinje ekzistojnë lidhje të thella ekonomike, politike e kulturore.