Kosovë – Regjistrimi në veri mund të dështojë edhe këtë vit

Regjistrimi i popullsisë dhe bujqësisë në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe mund të dështojë edhe në vitin 2016, shkruan sot shtypi i Kosovës.

MitrovicaKjo, pasi përfaqësuesit lokalë të përkrahur nga Serbia kanë vënë pengesa duke kërkuar që fillimisht të bëhet kthimi i të zhvendosurve. Serbët nuk janë pajtuar as pas lëshimeve të bëra nga qeveria, ku në këmbim të regjistrimit në vitin 2014 ajo kishte pranuar që Zveçanit dhe Zubin-Potokut t’ua rrisë numrin e këshilltarëve (anëtarëve të Kuvendeve Komunale).

Zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) janë duke kryer përgatitjet që regjistrimi të nisë nga fundi i këtij viti. Por duhet përmbushur disa kushte para se procesi të fillojë, shkruan Koha Ditore.

Edhe media serbe, në dhjetor 2015, duke iu referuar drejtueseve të qeverisë kosovare dhe të Eurostatit, paralajmëronte se gjatë vitit 2016 në veri të Kosovës, në katër komuna me shumicë serbe, do bëhet regjistrimi i popullsisë, i refuzuar në vitin 2011.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëruan 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turq, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Shekulli Agency