Kanada, në sulmin e armatosr ndaj xhamisë të paktën 5 të vrarë

Të paktën pesë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në sulmin e armatosur mbrëmë ndaj një xhamie në Quebec të Kanadasë.

Mbrëmë vonë, sulmues të panjohur kanë kryer një sulm të armatosur në Qendrën Kulturore Islamike në Quebec, ndërsa imami i xhamisë Mohamed Yang tha se ky ishte një akt barbar. Sulmi është kryer në kohë kur të paktën 40 besimtarë ishin duke u përgatitur për të falur namazin e jacisë.

Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

Policia kanadeze ka arrestuar dy persona të dyshuar për sulmin, por operacionet policore janë duke vazhduar për shkak se dyshohet se në sulm janë përfshirë numër më i madh i sulmuesve.

Kryeministri i Quebec-ut, Philippe Couillard ka dënuar ashpër sulmin dhe porositi se Quebec është kundër çdo lloj dhune.

Portali “Huffington Post Kanada” ka transmetuar deklaratat e dëshmitarëve të cilët pohojnë se sulmi i mbrëmshëm është si pasojë e tensioneve të fundit të cilat i shkaktoi presidenti Donald Trump.

Hetimet për incidentin janë në vazhdim, kurse po kjo xhami edhe në qershor të vitit të kaluar ishte cak i sulmit, kur persona të panjohur në pjesën e përparme të xhamisë kishin vendosur një kokë derri me mesazhin “Bon Appetit”.

Danimarka dhe Suedia dënojnë sulmin në xhaminë në Kanada

Danimarka dhe Suedia kanë dënuar sulmin e armatosur të kryer në xhaminë në qytetin kanadez Quebec, në të cilin mbetën të vrarë gjashtë persona.

“Dënoj fuqishëm sulmin e kryer në Quebec. Zemra ime është me familjet e viktimave dhe me popullin e Kanadasë”, ka shkruar kryeministri i Suedisë Stefan Lofven në rrjetet sociale.

Ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, Andres Samuelsen në një intervistë për kanalin televiziv “TV2News” tha se sulmi ishte i frikshëm ashtu si çdo sulm terrorist.

Më parë sulmin e tmerrshëm e dënuan edhe kryeministri italian Paolo Gentiloni dhe kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Mogherini për sulmin në Kanada: Terrorizmi kërcënim për të gjithë

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian (BE), Federica Mogherini, ka reaguar për sulmin ndaj një xhamie në Kanada ku humbën jetën 6 persona, raporton (AA).

Mogherini ka bërë një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmin ndaj një xhamie në Kanada. Në këtë deklaratë ajo thotë se terrorizmi tregoi edhe njëherë se është kërcënim për të gjithë qytetarët në të gjithë botën, pavarësisht besimit, fesë dhe kombësisë. Ajo ka ngushëlluar të afërmit e personave që humbën jetën dhe drejtuesit e Kanadasë për këtë ngjarje.

Mogherini ka deklaruar se mbështet Kanadanë si një vend burim forcimi të lirisë së fesë dhe diversitetit ashtu sikurse është edhe BE-ja. Ajo ka vënë në dukje se do të nxisin dhe mbrojnë këto liri. Mogherini ka theksuar se do të punojnë me Kanadanë dhe ortakët e tjerë ndërkombëtarë në luftën kundër dhunës, ekstremizmit të dhunshëm dhe kundër çdo terrorizmi.

Si pasojë e një sulmi të armatosur nga 3 persona ndaj Qendrës Kulturore Islame në rajonin Quebec të Kanadasë, gjatë kohës së namazit të jacisë, të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë janë plagosur.

Shekulli Agency