Beltagi u arrestua në vitin 2013 menjëherë pas përmbysjes me anë të një grushti shteti të presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike
Familja e liderit të burgosur të Vëllazërisë Muslimane, Mohamed al-Beltagi ka publikuar një sërë shkeljesh dhe keqtrajtimesh të cilat i janë bërë atij në burgjet e Egjiptit.
Beltagi u arrestua në vitin 2013 menjëherë pas përmbysjes me anë të një grushti shteti ndaj presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Egjiptit, Mohamed Morsi.
Atij i janë shqiptuar disa dënime, të cilat Beltagi i konsideron të motivuara politikisht.
“Në muajin gusht ai është detyruar nga dy gardianë të heq rrobat nga trupi, është torturuar dhe është fotografuar lakuriq”, akuzon familja e cila gjithashtu akuzon presidentin Abdel-Fattah al-Sisi për vrasjen e bijës së Beltagit. Asma u vra nga forcat e sigurisë gjatë një proteste pro-Morsi në vitin 2013.
Autoritetet egjiptiane nuk kanë komentuar mbi akuzat për keqtrajtimin e liderit të burgosur të Vëllazërisë Muslimane.