Fillimi LajmeBotaÇavusoglu: “Bisedimet për Sirinë mund të dështojnë nëse vazhdojnë shkeljet e armëpushimit”

Çavusoglu: “Bisedimet për Sirinë mund të dështojnë nëse vazhdojnë shkeljet e armëpushimit”

nga Shekulli Agency

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavusoglu bëri të ditur se punimet për kapjen e agresorit të sulmit terrorist ndaj klubit të natës në Stamboll janë duke vazhduar me përpikëri.

Duke folur në tryezën editoriale të AA-së, Çavusoglu njoftoi se është identifikuar personi pas sulmit ndaj klubit të natës Reina në Stamboll, duke theksuar më tej se punimet për kapjen e terroristit janë duke vazhduar me përpikëri.

Ministri Çavusoglu foli edhe në lidhje me pritjet për vitin 2017, me ç’rast tha se vitin 2016 e kanë kaluar pa përjetuar krizë ekonomike edhe përkundër të gjitha vështirësive. Ai shtoi se Turqia vazhdon të zhvillohet dhe se problemet po tejkalohen një nga një. Duke e rikujtuar tentativën për grusht shteti më 15 korrik nga FETO, Çavusoglu u shpreh: “Populli ynë u ngrit sërish i fortë dhe u bashkua, e në këtë mënyrë të gjithë ne, me në krye presidentin Erdoğan, po punojmë duke e vlerësuar mbi çdo gjë kontinuitetin e popullit dhe shtetit tonë”.

Armëpushimi në Siri

Në lidhje me armëpushimin e arritur në Siri nën garancinë e Turqisë dhe Rusisë, Çavusoglu bëri të ditur se në rast se palët e respektojnë armëpushimin, atëherë më 23 janar në Astana do të fillojnë bisedimet.
“Do të japim përpjekje edhe për zgjidhjen politike”, tha Çavusoglu, duke shtuar se më 9-10 janar ekspertë nga Rusia do të vijnë në Ministrinë e Jashtme të Turqisë për ta planifikuar procesin e Astanas.

Çavusoglu më tej theksoi se do ta vazhdojnë mbështetjen e tyre për çlirimin e Irakut nga organizata terroriste DEASH.

Iniciativat ndërkombëtare

Çavusoglu, duke theksuar se kanë rënë dakord që ta përditësojnë Unionin Doganor me Bashkimin Evropian (BE), njoftoi se ende vazhdon procesi për liberalizimin e vizave. “Ata dëshirojnë që ne t’i ndryshojmë ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit, mirëpo ne BE-së i kemi sqaruar se kjo gjë nuk është dhe nuk do të jetë e mundur dhe nuk është realiste”, vazhdoi më tej Çavuoglu.

Ministri Çavusoglu nënvizoi se rëndësi më të madhe do t’i japin Aleancës së Civilizimeve dhe se do të luftojnë në mënyrë aktive kundër islamofobisë dhe racizmit. Ai tha se do ta forcojnë Iniciativën për Ndërmjetësim për paqen, duke u shprehur se “Me forcimin e kësaj ne do të japim kontribut në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve para se ato të shndërrohen në konflikte”.

Ndërkaq, duke vënë në pah se hapja drejt Afrikës, Azisë-Pacifikut dhe Amerikës Latine do të vazhdojë përmes vizitave të ndërsjella, Çavusoglu tha se do të fokusohen në nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare dypalëshe me organizata dhe shtete jashtë BE-së.

Ministri turk po ashtu njoftoi se do të rritet edhe numri i ambasadorëve. “Politika jonë e jashtme fokusohet në njerëzit. Edhe këtë do ta vazhdojmë”, tha ai.

Ndërkohë, duke theksuar se do të vazhdojnë edhe mekanizmat tripalëshe në Ballkan dhe Kaukaz, Çavusoglu njoftoi se në muajt e ardhshëm do të realizojnë samitin tripalësh Azerbejxhan-Turkmenistan-Turqi.

“Pas 15 korrikut, shtetet e Perëndimit bënë gabime shumë serioze”

“Pas 15 korrikut, shtetet e Perëndimit në veçanti bënë gabime shumë serioze. Disa prej tyre, me ndjenjat antiturke, madje uruan që grushti i shtetit të ketë sukses”, theksoi Çavuoglu.

“Shkeljet që po shtohen në Siri mund të çojnë në ndërprerjen e procesit të Astanas”

Ministri Çavusoglu foli edhe në lidhje me shkeljet e armëpushimit nga forcat e regjimit në Siri. “Nëse nuk arrijmë t’i ndalim shkeljet, procesi i Astanas mund të ndërpritet. Po i shohim shkeljet pas marrëveshjes për armëpushim. Nëse shikojmë se kush është duke i bërë këto shkelje, ato po bëhen nga Hizbullahu, grupet shiite dhe regjimi” u shpreh Çavusoglu.

Çavusoglu ka tërhequr vëmendjen se edhe Irani duhet të veprojë për garantimin e armëpushimit në Siri, duke shtuar se “Ai duhet të ushtrojë autoritet ndaj miliciëve shiitë dhe regjimit”.

“Me Rusinë kemi biseduar që PYD të mos jetë pjesë e bisedimeve në Astana”

Ministri Çavusoglu vuri në pah se me Rusinë kanë biseduar që organizata terroriste PYD të mos jetë pjesë e bisedimeve në Astana. Ai më tej shtoi se “SHBA-të janë aleat shumë i rëndësishëm për ne. Kemi bashkëpunim në çdo fushë. Por, një gjë është e vërtetë aktualisht: ka krizë besueshmërie”.

Ndërkaq, ai shtoi se janë në dijeni për prezencën e elementeve të PYD/YPG-së në Munbixh. Çavusoglu tha se presidenti amerikan Barack Obama ndan mendimin me ta se këto elemente duhen tërhequr në lindje të Eufratit.

“Dorasi i atentatit ndaj ambasadorit ka lidhje me FETO-n”

Duke folur në lidhje me atentatorin ndaj ambasadorit rus në Ankara Karlov, Çavusoglu theksoi: “Sipas të dhënave dhe dokumenteve që i posedojmë, ky person ka lidhje me organizatën terroriste FETO”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies