Forumi Rinor i Lëvizjes BESA: Urime Maqedonia fiktive! (VIDEO)

fiktiv-besaTë nderuar qytetarë të Maqedonisë,

Jemi sot këtu para Komisionit Shtetëror Zgjedhor që të zbulojmë detaje të reja nga puna jonë në terren pas publikimit të listës zgjedhore me votues që KSHZ-ja planifikon t’i fshijë nga lista nëse ndërkohë nuk paraqiten për t’u riregjistruar.

Ashtu siç e kemi thënë edhe disa herë këto ditë, në atë listë janë edhe persona, qytetarë të këtij vendi, që për vite të tëra nuk kanë bërë dalje nga Maqedonia, që i paguajnë tatime e fatura mujore këtij shteti, andaj është paradoksale që ata njerëz ta konfirmojnë praninë e tyre duke qenë aty.

Përkundër këtyre lajmeve të këqija, jemi sot këtu që t’jua japim një lajm të mirë. Në listën zgjedhore për t’u fshirë i kemi gjetur edhe katër personat që e miratuan këtë listë. Ata janë:

  1. Ahmeti Ali, i lindur më 4 janar 1959 në fshatin Zajas të Kërçovës, me vendbanim në disa adresa në Zajas, Kërçovë, Shkup, Tetovë, Zvicër dhe Shqipëri.
  2. Zaev Zoran, i lindur më 8 tetor 1974 në Strumicë, me disa adresa banimi në Shkup e Strumicë;
  3. Gruevski Nikolla, i lindur më 31 gusht 1970 në Shkup, me vendbanim në tri banesa dhe disa shtëpi në Shkup;
  4. Thaçi Menduh, i lindur më 03.03.1965 në Tetovë, po ashtu me shumë adresa banimi nëpër Tetovë e Shqipëri.

Megjithëse na vjen keq që shumë qytetarë të tjerë janë diskriminuar, duke i fshirë nga lista, neve sinqerisht na vjen mirë që pikërisht këta persona janë pastruar, sepse edhe ashtu ata meritojnë të pastrohen jo vetëm nga lista zgjedhore, por edhe nga skena politike e këtij vendi.

Meqë na krijuan lista fiktive, madje edhe vetë janë bërë fiktivë, tashmë jemi të sigurt se edhe zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni do të jenë fiktive.

Prandaj urime Maqedonia fiktive!

Shekulli Agency