Dekriminalizimi/ Gati lista e politikanëve të inkriminuar, brenda javës dosjet i dorëzohen prokurorisë

kot-5444Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në hapat e fundit të përgatitjes së listës së politikanëve të inkriminuar dhe pritet që brenda javës të mbyllet i gjithë procesi i kontrollit të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit.

KQZ nisi javën që lamë pas kontrollin e formularëve dhe në fund të kësaj jave do të ketë një listë të detajuar me të gjitha ata politikanë të dyshimtë. Për çdo indicie që KQZ ka se zyrtari mund të ketë lidhje kriminale, do informojë prokurorinë. Nga ana tjetër është zbuluar se shumë formularë janë me probleme dhe që u janë kthyer zyrtarëve për t’i riplotësuar.

Gazeta “Sot” shkruan se në listën e formularëve me probleme janë edhe politikanë të nivelit të lartë, të dhënat e të cilëve kanë shfaqur kontradikta, siç ishte ai i pak ditëve më parë i kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Në bazë të ligjit, KQZ ka pesë ditë afat për verifikimin e të dhënave të formularëve dhe më pas duhet që këta formularë t’ia paraqesë Prokurorisë për verifikime të mëtejshme. Prokuroria dy ditë më parë kërkoi t’i vihej në dispozicion formulari i vetëdeklarimit të Elvis Roshit, ndërsa mësohet se pjesa tjetër e formularëve me probleme do ti vihet në dispozicion deri në fundjavë. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme ka filluar procedurat për dërgimin në Gjermani të një letërporosie lidhur me veprimtarinë kriminale të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi në Gjermani. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët janë vënë në lëvizje pas një kërkese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim verifikimin e formularit të bashkiakut.

Sa i përket verifikimit, mendohet se janë qindra formularë problematikë, ku përfshihen politikanë të nivelit të lartë, deputetë, kryebashkiakë, por shumica janë anëtarë të këshillave bashkiakë. Në krahun tjetër, Prokuroria tashmë e ka ngritur strukturën e cila do të merret me verifikimin e parregullsive të paraqitura nga zyrtarët në vetëdeklarimet e tyre. Prokuroria e Përgjithshme do të bashkëpunojë edhe me prokuroritë e vendeve të tjera, të cilat kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhënë ndihmë në këtë proces. Kjo bëhet për faktin se një pjesë e personave me probleme rezulton se precedentët penalë i kanë të regjistruar jashtë vendit, ndaj bashkëpunimi është i domosdoshëm.

Sipas ligjit të dekriminalizmit, në momenti që një zyrtar, qoftë ky politikan apo punonjës i administratës publike, në momentin që konstatohen parregullsi, detyrohet të largohet menjëherë nga posti publik që mban. Ditët e fundit është parë një koordinim i punës mes KQZ-së dhe Prokurorisë në mënyrë që të përmbyllet sa më shpjet faza e parë e dekriminalizimit. Kjo u pa qartë në takimin që pak ditë më parë Adriatik Llalla dhe Lefterie Luzi zhvilluan në ambientet e KQZ-së.

Shekulli Agency