BESA: Ali Ahmeti vazhdon të tallet me kumanovarët

besa-ali--6544Lëvizja Besa e ka cilësuar lirimin e vrasësit të Komandant Shqiponjës si vazhdimësi e sjelljes tallëse dhe provokuese të BDI-së dhe kreut të saj, Ali Ahmeti ndaj kumanovarëve. Sipas kësaj partie opozitare, Ali Ahmeti bashkë me partnerin e tij të koalicionit Nikolla Gruevskin, që moti kanë filluar të injorojnë dhe tallin shqiptarët e Kumanovës. Ata thonë se Ali Ahmeti që nga vrasja e Komandant Shqiponjës asnjëherë nuk ka qenë t’i vizitojë më banorët e Lagjes së Trimave, por as qytetin e Kumanovës.

“Sikur të mos ishte boll kjo, provokimi i fundit i Ali Ahmetit dhe i pushtetit të tij erdhi këto ditë me lirimin e vrasësit të komandant Shqiponjës, që ndodhi pikërisht në shënimin e përvjetorit të vrasjes së tij. E quajmë provokim të rëndë për shqiptarët e Kumanovës lirimin e vrasësit të tij (ndryshe, mik i afërt i A. Ahmetit), çfarëdo që të kenë arsyet për këtë, sepse Komandant Shqiponja ka qenë dhe do mbetet emblemë e UÇK-së për Kumanovën dhe jo Ali Ahmeti. Ishte Komandant Shqiponja ai i cili gjithmonë gjendej në mesin e shqiptarëve të këtushëm dhe jo Ali Ahmeti, i cili si duket nuk u ngop kurrë me dëmin që ua bëri kumanovarëve, andaj u kujdes që këtë ta thellojë edhe me ngjarjen e kobshme të 9-10 majit të vitit 2015”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

“Ai akoma nuk dha asnjë shpjegim dhe përgjigje lidhur me rrahjen dhe thyerjen e këmbës së Sevdail Miftarit (nga grupi i akuzuar në rastin “Lagjja e Trimave”) nga ana e njësitit special policor menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku Sevdaili kishte reaguar pasi e kishte marrë vesh të vërtetën nga ana e dëshmitarit të mbrojtur për kapjen e Mirsad Ndrecajt”, qëndron më tej në reagimin e BESËS.

Duke u bazuar në këto fakte, Lëvizja Besa thotë se do të ngrejë zërin e arsyes dhe tërheqin vërejtjen se partia shqiptare në pushtet po e mbush kupën me dëmet që ua shkakton shqiptarëve, veçmas atyre të Kumanovës. Ata gjithashtu pyesin se “deri ku e ka ndër mend kjo parti ta denigrojë dhe poshtërojë dinjitetin e shqiptarit të Maqedonisë?”.

/SHENJA/

Shekulli Agency