Akar: Turqia do të qëndrojë në pikat e vëzhgimit në Idlib të Sirisë

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, tha se Turqia përfundimisht do të qëndrojë në pikat e vëzhgimit dhe do të monitorojë armëpushimin në veriperëndim të Sirisë, dhe se ushtarët turq kanë urdhra që t’i përgjigjen çdo akti të armiqësisë.

“Në asnjë mënyrë ne nuk do të evakuojmë 12 pikat e vëzhgimit, duke vazhduar heroikisht misionin tonë të sigurimit të armëpushimit, ne nuk do të largohemi”, u tha ministri i mbrojtes, komandantëve ushtarakë në Hatay, provincë në jug të Turqisë në kufi me Sirinë.

Komentet e tij vijnë pas sulmeve të regjimit të Asadit, Rusisë dhe forcave të mbështetura nga Irani, që kanë shkaktuar shpërnguljen e rreth 47.000 personave nga Idlibi, ku janë të vendosura pikat e vëzhgimit, drejt kufirit turk.

Akar tha se forcat turke në këto pika të vëzhgimit kanë urdhër që të përgjigjen pa hezitim nëse sulmohen apo ngacmohen.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Që atëherë, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë në sulme nga regjimi dhe forcat ruse në zonën e deeskalimit ndërsa armëpushimi vazhdon të shkelet.

Mbi një milion sirianë kanë lëvizur në afërsi të kufirit turk për shkak të sulmeve intensive në vitin 2019.

Sipas Koalicionit Kombëtar për Forcat Revolucionare dhe Opozitare Siriane, në provincën Idlib jetojnë rreth tre milionë civilë, 75 për qind prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.

Duke folur për mundësinë e dërgimit të forcave turke në Libi në kuadër të paktit të ri të sigurisë, nëse Qeveria e Pajtimit Kombëtar e bën një kërkesë të këtillë, Akar tha: “Ushtria jonë është e gatshme të mbrojë të drejtat dhe interesat e Turqisë qoftë branda apo jashtë shtetit”.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në Libinë lindore, e cila mbështetet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Më 27 nëntor, GNA-ja dhe Ankara nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetra mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Në prill, forcat besnike të komandantit lindor të Libisë, gjeneralit Khalifa Haftar, filluan një fushatë ushtarake për kapjen e Tripolit, por deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë përtej periferisë së qytetit.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i operacioneve dhe më shumë se 5.000 të tjerë janë plagosur.

Shekulli Agency