Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” në Shqipëri ka hapur në ambientet e saj në Tiranë një ekspozitë të titulluar “Nga Mjeshtri tek Nxënësi”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ekspozitë janë ekspozuar shumë punime të nxënësve të cilët kanë marrë pjesë në kursin e stolive të organizuar në kuadër të projektit “Nga Mjeshtri tek Nxënësi”, projekt ky që po mbahet në 5 shtete të Ballkanit dhe që financohet nga Halk Bank në Turqi.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite krahas nxënësve të këtij kursi merrnin pjesë, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Hüsun Bayraktar, Drejtori i Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Tiranë, Tayfun Kalkan dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në një fjalim të mbajtur me këtë rast Tayfun Kalkan vuri në dukje interesin madh ndaj këtij kursi dhe më tej shtoi se me anë të këtij kursi të organizuar në ambientet e Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” dhe në ambientet e një shoqate Rome synojnë të fusin frymën e bashkëpunimit dhe vëllazërisë dhe ajo që është më e rëndësishmja një mundësi më shumë për ti ardhur në ndihmë familjeve përmes kurseve.
Kalkan në fjalën e tij shtoi se kjo qendër tashmë nuk ofron vetëm kurse gjuhe, por organizon një sërë aktivitetesh në dobi të komuniteteve në vend.
Ndërkohë pas ceremonisë Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” ndau edhe certifikatat përkatëse. Ekspozita pritet të qëndrojë 10 ditë e hapur. Ndërsa stolitë e punuar me mjeshtri nga nxënësit pritet të iu dhurohen vizitorëve të kësaj ekspozite.
