Fillimi EkonomiTurqia dhe Ukraina “pranë” nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë

Turqia dhe Ukraina “pranë” nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë

nga Shekulli Agency

Ambasadori ukrainas në Ankara, Vasyl Bodnar, ka bërë të ditur se në 30-vjetorin e lidhjeve diplomatike midis Turqisë dhe Ukrainës, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nesër viziton Kievin dhe do të nënshkruajë disa marrëveshje.

Në një bisedë me Anadolu Agency (AA), ambasadori ukrainas tha se po përgatiten për vizitën e presidentit Erdoğan dhe se ata “po punojnë në një agjendë të ngjeshur për takimin e dy presidentëve”.

“Ne po ashtu po përgatisim një sërë marrëveshjesh”, tha Bodnar.

Më 3 shkurt, Kievi po ashtu do të organizojë Këshillin e 10-të Strategjik të Nivelit të Lartë midis Turqisë dhe Ukrainës. Krerët e dy vendeve pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje që po ashtu do të shënojë 30-vjetorin e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve.

Që nga viti 1991, kur Ukraina shpalli pavarësinë e saj, Turqia ishte e para që njohu statusin e saj të ri.

Bodnar theksoi se “nuk ka dyshim” se vizita e presidentit turk do të jetë e suksesshme, si dhe shtoi se ata do të bëjnë “më të mirën për t’i shtuar vlerën marrëdhënieve dypalëshe”.

“Në këtë aspekt, ne jemi duke punuar në një sërë marrëveshjesh. Këto marrëveshje do të garantojnë që bashkëpunimi ynë të forcohet dhe të zgjerohet më tej në të ardhmen e afërt. Në të vërtetë, një nga fushat më të rëndësishme është forcimi i tregtisë së ndërsjellë dhe zhvillimi i bashkëpunimit, veçanërisht në çështjen doganore”, tha Bodnar.

Me qëllim të forcimit të marrëdhënieve tregtare, tha Bodnar, do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh midis ministrive të ekonomisë dhe tregtisë. Ai shtoi se po ashtu pritet të nënshkruhen marrëveshje në fushën e arsimit, kulturës dhe industrisë së mbrojtjes për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Ankarasë dhe Kievit.

Ai theksoi se në vazhdim janë negociatat për të finalizuar një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Turqisë dhe Ukrainës.

“Për mendimin tim, të dyja palët janë shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes”, shtoi Bodnar.

– Vëllimi tregtar afër arritjes në 10 miliardë dollarë

Bisedimet për marrëveshjen e shumëpritur të tregtisë së lirë kanë vazhduar për 12 vjet pasi, sipas diplomatit ukrainas, pala e vendit të tij kryesisht po diskuton uljen e tarifave doganore për vete.

Bodnar theksoi se ka një “ndryshim serioz” në tarifat doganore në kufirin turk. Ai shtoi se bisedimet vazhdojnë dhe se nuk ka një datë të caktuar për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Megjithatë, të dyja palët “po bëjnë çmos për të nënshkruar marrëveshjen gjatë vizitës së presidentit Erdoğan”.

“Ne do të nënshkruajmë një marrëveshje që do të jetë e dobishme për botën e biznesit të të dy vendeve”, tha ai.

Duke theksuar se vëllimi tregtar midis dy vendeve vazhdon të rritet, pavarësisht se nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë, Bodnar njoftoi se sipas të dhënave për 11 muaj të vitit 2021 Turqia dhe Ukraina arritën afërsisht 6 miliardë dollarë në tregtinë e produkteve dhe mallrave.

Bodnar tha se 1 miliard dollarë të tjerë do të shtohen nga sektori terciar dhe se vëllimi tregtar midis Turqisë dhe Ukrainës pritet të arrijë mbi 8 miliardë dollarë pasi të shtohen të gjitha numrat nga të dhënat e vitit të kaluar.

“Me këtë ritëm, ne do të arrijmë objektivin prej 10 miliardë dollarësh që presidentët tanë vendosën më parë”, shtoi ai.

Për çështjen e energjisë, Bodnar tha se “Rusia vazhdon të përdorë furnizimin me gaz si një armë politike”.

“Ne jemi duke punuar në zgjerimin e furnizimeve tona me energji duke filluar nga blerja e një pjese të gazit nga tregu evropian, si dhe në kërkimin e perspektivave të ndryshme të furnizimit përmes shtrirjeve dhe burimeve të ndryshme”, u shpreh Bodnar.

– Partneriteti strategjik Turqi-Ukrainë

Më tej, ambasadori turk tha se do të ketë “konsultime midis Ukrainës dhe Turqisë për disa perspektiva të mundshme” për furnizimin me energji. Pa dhënë detaje, ai tha se Ukraina “po punon me partnerë të tjerë për të kërkuar jo vetëm tregun e gazit, por edhe për zgjerimin e burimeve të ndryshme të energjisë, të tilla si energjia e gjelbër dhe hidrogjeni”.

Për marrëdhëniet dypalëshe me Turqinë, ai tha se të dy vendet kanë “një nivel shumë të lartë partneriteti dypalësh” dhe se dy vendet kanë një “partneritet strategjik”.

Duke theksuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti Erdoğan janë “miq shumë të ngushtë dhe kanë dialog të hapur e të besueshëm”, Bodnar tha se “partneriteti ynë strategjik bazohet në besim në përputhje me interesat e përbashkëta dhe në vizionin e përbashkët për të ardhmen e rajonit tonë”.

Ambasadori ukrainas më tej falënderoi Turqinë dhe partnerët e tjerë si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për hapat dhe përpjekjet e tyre për të arritur një zgjidhje për tensionet e vazhdueshme të vendit të tij me Rusinë.

Megjithatë, ai theksoi se është “jo normale që bota të vrojtojë si Rusia po përgatitet për luftë në shekullin 21”.

Duke kritikuar organizatat ndërkombëtar si Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bodnar theksoi se “përpjekjet e tyre janë të pamjaftueshme”.

Ai përmendi moton e presidentit Erdoğan se “bota është më e madhe se pesë”.

“Në të vërtetë, bota është më e madhe se pesë”, tha ai.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm, Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.

Duke theksuar se njëri prej atyre anëtarëve të përhershëm po vepron kundër ligjit ndërkombëtar, Bodnar tha se bota e qytetëruar nuk duhet t’i ndjekë zhvillimet mënjanë, por përkundrazi duhet t’u japë një qëndrim korrekt të gjitha këtyre incidenteve dhe të gjejë një përgjigje për të parandaluar luftën.

Ndërkohë, tha ambasadori ukrainas, ngjarjet aktuale nuk janë asgjë e re pasi vendi i tij është përballur me to në tetë vitet e fundit.

“Ne dëshirojmë t’u bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht atyre që po vëzhgojnë nga brenda (vendi). Mos u frikësoni”, u shpreh ai.

Duke kujtuar se Ukraina nuk ishte pala që filloi tensionet, Bodnar tha se vendi i tij “dëshiron të zgjidhë çështjen në mënyrë paqësore”.

Në këtë aspekt, ai falënderoi dhe përshëndeti ofertën e Turqisë për të luajtur një rol ndërmjetësues midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Mendoj se mundet të kryhet procesi i ndërmjetësimit në Turqi ose në një vend tjetër. E rëndësishme është që Rusia ta pranojë atë. Pala ukrainase e mbështet atë dhe është e gatshme për të”, tha ai.

Kohëve të fundit, Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit ish-sovjetik.

Moska ka mohuar se po përgatitet për të pushtuar dhe tha se trupat e saj janë atje për stërvitje. Kremlini lëshoi një listë kërkesash të sigurisë, përfshirë mos anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Më 26 janar, pas një sërë bisedimesh, SHBA dhe NATO dhanë përgjigjet e tyre me shkrim ndaj kërkesave të Rusisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies