
Në Shkup është mbajtur një ceremoni me rastin e investimit të ri të kompanisë turke ‘Teknopanel’, e cila do të investojë 20 milionë euro në ndërtimin e një kapaciteti të ri prodhues në zonën industriale ‘TIRZ 1 Shkup’, raporton (AA).
Në ceremoni të pranishëm ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, drejtori i zonës industriale ‘TIRZ’, Jovan Despotovski, kreu i bordit drejtues të kompanisë ‘Teknopanel’, Orhan Kahveci, si dhe përfaqësues të organizatave turke në vend dhe mysafirë të tjerë të ftuar.
Në fjalën e tij në ceremoni, kryeministri Kovaçevski theksoi se sot është një ditë e rëndësishme, sepse në vend po hyn një investim i ri.
“Teknopanel zgjodhi të sjellë investimin e saj pikërisht këtu dhe kjo sigurisht se nuk është rastësi. Ne si qeveri ofrojmë mundësi dhe avantazhe për investime në Maqedoninë e Veriut”, tha Kovaçevski, duke shtuar se kompania turke prodhon panele inovative të çatisë që njëkohësisht ofrojnë hidroizolim termik dhe të zhurmës, si dhe janë rezistent ndaj zjarrit.
Kovaçevski bëri të ditur se ky grup ka 460 punëtorë dhe është një nga kompanitë lider në Evropë me prodhimin e avancuar teknologjik dhe me eksporte në 102 vende të botës.
“Ajo që është shumë e rëndësishme në situatën e dhënë, është se nga punëtorët tanë, nga këtu, nga Shkupi do të furnizohen blerësit në tregun evropian. Në 9 vitet e ardhshme eksporti pritet të jetë 170,5 milionë euro. Teknopanel investon 20 milionë euro në ndërtimin e një kapaciteti të ri prodhimi. Prodhimi do të fillojë nga viti i ardhshëm dhe do të hapen 120 vende të reja pune me një pagë mesatare neto prej rreth 600 eurosh për të punësuarit”, tha Kovaçevski.
– “Marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis Shkupit dhe Ankarasë, arsyeja e investimit të kompanive turke në vend”
Më tej, kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohje për këtë investim turk në vendin e tij.
“Përveç këtyre përshëndetjeve për të pranishmit, më duhet të dërgoj edhe tre përshëndetje të tjera që kanë një domethënie të veçantë, edhe atë për presidentin e Türkiye-s, z. (Recep Tayyip) Erdoğan, për kryetarin e Parlamentit të Türkiye-s, z. (Mustafa) Şentop dhe për ministrin e Punëve të Jashtme, z. (Mevlüt) Çavuşoğlu… për arsye se marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira që kemi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s janë si pasojë e kontakteve shumë të shpeshta të sinqerta dhe konstruktive që kemi me përfaqësuesit e autoriteteve më të larta të Republikës së Türkiye-s. Dhe, pikërisht ato marrëdhënie jashtëzakonisht të mira që kemi janë arsyeja dhe rezultati i investimit të kompanive turke në vendin tonë”, deklaroi Kovaçevski.
Ambasadori turk, nga ana e tij, tha se kompanitë turke kanë bërë investime në sektorë të ndryshëm në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se këto kompani me investimet e tyre me sukses e përfaqësojnë Türkiye-n në këtë drejtim.
“Me investime cilësore, kompanitë turke kanë treguar se janë një partner i kërkuar dhe i nevojshëm. Kompania jonë Teknopanel nga sot do të shtojë dinamikë të re në ekonominë e Maqedonisë së Veriut në një sektor të rëndësishëm dhe njëkohësisht do të krijojë vende pune dhe do të jetë një vlerë e shtuar”, tha Sekizkök.
Ai tha se është e rëndësishme që të ketë vullnet të përbashkët politik mes vendeve për përmirësimin e situatës ekonomike.
“Türkiye do të vazhdojë të inkurajojë investitorët e ri që të vijnë në vendin vëllazëror dhe mik, Maqedoninë e Veriut. Ambasada jonë, ashtu si deri më tani, edhe më tej do të mbështesë investitorët turk”, shtoi Sekizkök.
– ‘Teknopanel’: Qëllimi ynë është eksport vjetor 35 milionë eurosh në Evropë dhe Ballkan
Kahveci, kreu i bordit drejtues të kompanisë ‘Teknopanel’, tha se kjo fabrikë në Shkup është fabrika e tyre e parë jashtë vendit. Ai theksoi se kjo fabrikë në Shkup është e gatshme për prodhim me një investim prej 20 milionë eurosh.
“Fabrika jonë me një sipërfaqe totale prej 55 mijë metra katrorë, nga cilat 16 mijë katrorë janë hapësirë e mbyllur, çdo vit do të prodhojë panele ‘sanduiç’ prej 3 milionë metrash katrorë dhe 350 mijë metër kub produkte ‘EPS’, të cilat do t’i eksportojmë në të gjitha vendet evropiane dhe ballkanike. Qëllimi ynë i eksportit është 35 milionë euro në vit. Me ekipin tonë të ri, që do të ketë 120 punonjës, tashmë jemi gati për punë”, tha Kahveci.
Kahveci bëri të ditur se kompania ‘Teknopanel’ sot eksporton në 102 vende në Azi, Evropë, Afrikë, si dhe në Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut.
Despotovski, drejtori i zonës industriale ‘TIRZ’, theksoi se punësimi i 120 punonjësve të ri është një numër i respektueshëm.
“Mendoj se ‘Teknopanel’, kjo është një detyrë e vetë kompanisë, nuk do të ndalet me këto 20 milionë euro dhe me këtë kapacitet. Shpresoj se tashmë në muajt e ardhshëm, ndoshta vitin e ardhshëm, do të fillojmë bisedimet për zgjerimin e dukshëm të atyre kapaciteteve”, tha Desportovski.
‘Teknopanel’ është një kompani e teknologjisë së lartë që do të investojë 20 milionë euro në ndërtimin e një kapaciteti të ri prodhues për prodhimin e të ashtuquajturave panele “sanduiç” të çatisë, që njëkohësisht ofrojnë hidroizolim termik dhe të zhurmës, ndërkohë që janë rezistent edhe ndaj zjarrit. Ato kryesisht përdoren për sipërfaqet e çatisë së ndërtesave industriale.