Një samit ekonomik ndërkombëtar për të diskutuar mënyrat për rritjen e lidhjeve midis Rusisë dhe botës islame do të mbahet në Kazan, kryeqytetin e republikës ruse të Tatarstanit, më 28-30 korrik, raporton (AA).
Samiti i Kazanit 2021 synon të forcojë lidhjet tregtare dhe ekonomike, shkencore-teknike, sociale dhe kulturore midis Rusisë dhe vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).
Ngjarja treditore, në të cilën AA është partneri global i komunikimit, synon gjithashtu të promovojë zhvillimin e institucioneve financiare islame në Rusi.
Edicioni i 12-të i botës Ruso-Islame: KazanSummit 2021, do të mbledhë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, autoritete publike, institucione financiare, ambasada, parlamentarë, investitorë dhe biznesmenë, menaxherë të lartë të kompanive ruse dhe të huaja.
Duke komentuar mbi ngjarjen, Taliya Minullina, kryetare e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve në Tataristan, tha se samiti rishikon dhe zgjeron agjendën e tij çdo vit.
“Ndërveprimi me botën islame është një drejtim premtues investimesh për Federatën Ruse”, theksoi Minullina.
Duke qenë një platformë biznesi për krijimin e rrjeteve dhe paraqitjen e mundësive ekonomike dhe potencialit të investimeve të Rusisë, samiti do të drejtohet nga Presidenti i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov.
Ngjarja, motoja e së cilës është “konsum i vetëdijshëm”, do të trajtojë temat e financimit të partneritetit, industrinë hallall, diplomacinë e të rinjve, mjekësinë, sportet, industritë krijuese, zhvillimin e eksportit, biznesit dhe investimeve.
Në margjina të samitit do të mbahet edhe panairi “Russia Halal Expo” dhe Forumi i Ndërtimit të Makinerive.
Përveç kësaj, Forumi i Sipërmarrësve të Rinj të vendeve të OBI-së dhe Forumi i Diplomatëve të Rinj, ngjarja “Sbertalk” për përmirësimin e instrumenteve financiare islame nën sponsorizimin e Sberbank dhe një shfaqje mode e quajtur Modest Fashion do të mbahen në margjina të mbledhjes.
