Fillimi EkonomiPutin: Ulja e prodhimit të naftës nga OPEC+ ka për qëllim stabilizimin e tregut të energjisë

Putin: Ulja e prodhimit të naftës nga OPEC+ ka për qëllim stabilizimin e tregut të energjisë

nga Shekulli Agency

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se vendimi i fundit nga vendet e OPEC+ për reduktimin e prodhimit të naftës ishte marrë për stabilizimin e tregut të energjisë.

Duke folur në një takim në Shën Petersburg me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohamed bin Zayed Al Nahyan, presidenti Putin tha se veprimet e OPEC+ nuk ishin kundër askujt.

“Veprimet tona kanë për qëllim krijimin e stabilitetit në tregjet globale të energjisë, ashtu që konsumatorët e burimeve energjetike dhe ata që merren me nxjerrjen e naftës, furnizuesit e tregjeve botërore, të ndjehen të qetë, të qëndrueshëm dhe të sigurt, në mënyrë që oferta dhe konsumi të jenë të balancuara”, tha Putin.

“Prandaj, ne gjithmonë i përgjigjemi nevojave të tregut dhe përpiqemi ta bëjmë këtë në mënyrë adekuate me ngjarjet që ndodhin”, shtoi ai.

Kontaktet midis EBA-së dhe Rusisë janë zhvilluar gjatë 50 viteve të lidhjes diplomatike, tha Putin, duke shtuar se pavarësisht vështirësive të situatës aktuale globale, lidhjet e tyre shërbyen si faktor stabilizues në rajon dhe në botë.

Putin falënderoi Al Nahyan për ndërmjetësimin e vendit të tij që ndihmoi në zgjidhjen e disa “çështjeve të ndjeshme humanitare”.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimin tuaj për zhvillimet e situatës në përgjithësi dhe për dëshirën tuaj për të kontribuar në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të diskutueshme, përfshirë krizën që po ndodh sot në Ukrainë”, tha ai.

“Dua të theksoj se ky është me të vërtetë një faktor domethënës që bën të mundur ushtrimin e ndikimit tuaj për të ecur drejt zgjidhjes së situatës”, tha ai.

Putin gjithashtu premtoi se do të informojë al Nahyan për situatën rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia.

Ai theksoi se qarkullimi tregtar midis Rusisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ishte rritur me 65 për qind vitin e kaluar dhe 17 për qind këtë vit.

“Për mua është shumë e rëndësishme që të diskutoj me ju rreth situatës në rajon. Këtu ka shumë probleme. Roli dhe ndikimi i EBA-së në situatën rajon është, natyrisht, shumë i lartë dhe është shumë e rëndësishme për mua që të diskutoj me ju çështje që lidhen me situatën në dhe rreth Sirisë”, tha ai.

Nga ana e tij, al Nahyan tha se në aspektin monetarë, qarkullimi tregtar midis Rusisë dhe EBA-së ishte dyfishuar në tre vitet e fundit nga 2.5 miliardë dollarë në 5 miliardë dollarë.

Përveç kësaj, rreth 500 mijë turistë rusë vizitojnë EBA çdo vit, ndërsa 4,000 firma ruse operojnë në EBA, shtoi ai.

“Shpresoj se në vitet në vijim do të jemi në gjendje t’i rrisim ndjeshëm të gjithë këta tregues”, tha ai.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies