Putin: Rusia nuk do të heq dorë nga gazsjellësi përmes Turqisë

“Ka vështirësi të caktuara të natyrës politike me Turqinë. Gjithashtu presim qëndrimin e prerë të Komisionit Evropian në lidhje me projektin”, tha presidenti rus

sh-vladimir-putinPavarësisht problemeve politike me Turqinë, Rusia nuk do të heqë dorë nga tubacioni i gazit përmes Turqisë i njohur si “Rrjedha Turke”, tha presidenti rus, Vladimir Putin, në një konferencë për shtyp në Moskë, pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Ka vështirësi të caktuara të natyrës politike me Turqinë. Gjithashtu presim qëndrimin e prerë të Komisionit Evropian në lidhje me projektin”, tha presidenti rus.

Alexej Miller, drejtori i përgjithshëm i kompanisë ruse Gazprom njoftoi se Putin ka anuluar ndërtimin e tubacionit të gazit “Rrjedha e Jugut” në dhjetor 2014. Mirëpo, fajin për këtë Putin ia kishte hedhur Bashkimit Evropian.

Pas ndalimit të këtij projekti, Putin njoftoi se Gazprom do të ndërtojë tubacion të gazit me kapacitet prej 63 miliardë metra kub përmes Turqisë, që do të anashkalojë Ukrainën, duke e quajtur projektin “Rrjedha Turke”.

Negociatat mbi “Rrjedhën Turke” u pezulluan pas rrëzimit të avionit luftarak rus Su-24 në nëntor të vitit të kaluar, për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore të Turqisë.

“Rrjedha Turke”, përmes së cilës ishte planifikuar transferimi i gazit rus përmes Turqisë në Evropë, është anuluar nga Ankaraja.

Shekulli Agency