Fillimi EkonomiLiderët e vendeve të Ballkanit takim në Tiranë, mbahet sërish protestë

Liderët e vendeve të Ballkanit takim në Tiranë, mbahet sërish protestë

nga Shekulli Agency

Në Shqipëri po mbahet takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, me fokus diskutimet për eliminimin e pengesave për qarkullim e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Pas vizitës në Durrës në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe në hotelet ku akomodohen qytetarët, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, kanë mbajtur takimin zyrtar mes tyre, për të vazhduar më pas edhe me takimin mes delegacioneve.

Aktivitetet e këtij takimi rajonal do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për shtyp të liderëve pjesëmarrës. 

Ndërkohë, Kosova nuk merr pjesë në takimin e tretë të shteteve të rajonit për idenë e “Minishengenit ballkanik”, pavarësisht se ishte ftuar presidenti Hashim Thaçi. 

Në këtë takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Bankës Botërore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Komisionit Evropian (KE). 

Mbahet sërish protestë 

Gjatë kohës së mbajtjes së takimit mes liderëve, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të Shoqatës “Çamëria” dhe qytetarë kanë protestuar kundër qëllimeve të takimit dhe kundër pjesëmarrjes në takim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. 

Protesta është mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, përpara ndërtesës së hotelit ku mbahet takimi i liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. 

Protestuesit mbanin flamuj të Shqipërisë dhe me pankartat me mbishkrimet “Kosova është gjaku im i shtrenjtë që nuk falet”, “Duam bashkim me Kosovën, jo me Serbinë”, “Merru me qytetarët e prekur nga tërmeti, jo me Jugosllavinë e re”, kundërshtuan sipas tyre idenë e “Minishengenit ballkanik”

Gjatë protestës u angazhuan edhe forcat policore, për të shmangur incidentet.

Ndërkohë edhe mbrëmë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë protestuan kundër pjesëmarrjes së Vuçiçit në takimin e liderëve të vendeve të rajonit.

Takimi në Tiranë është në vijim të dy takimeve të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Anadolu Agency

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies