Fillimi EkonomiKosovë, aeroporti “Adem Jashari” certifikon 60 studentë për menaxhim dhe shërbime aeroportuale

Kosovë, aeroporti “Adem Jashari” certifikon 60 studentë për menaxhim dhe shërbime aeroportuale

nga Shekulli Agency

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ANP “Adem Jashari” – Limak Kosova organizoi ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së dytë dhe të tretë të studentëve të cilët kanë përfunduar trajnimin profesional pranë Institutit Limak për Shërbime Aeroportuale.

Gjashtëdhjetë studentët të cilët kanë përfunduar trajnimin në fushën e menaxhimit dhe shërbimeve aeroportuale në kuadër të Institutit Limak për Shërbime Aeroportuale morën çertifikatat nga drejtori i Përgjithshëm i ANP “Adem Jashari”, Haldun Fırat Köktürk, rektori i Universitetit Publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, Marjan Dema, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, si dhe nga zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota.

Instituti ka bërë trajnimin dhe ka ofruar mundësi për punë praktike në aeroport, ndërsa pas përfundimit dhe certifikimit, studentëve u ofrohet mundësia e punësimit në ANP “Adem Jashari”.

Drejtori i përgjithshëm i ANP “Adem Jashari” – Limak Kosova, Haldun Fırat Köktürk, në fjalën e tij deklaroi se të rinjtë e kompanisë Limak ASI janë shtylla kryesore, që i jep shtysë kësaj kompanie për zhvillim të vazhdueshëm.

“Studentët tanë tanimë janë të gatshëm t’i përballojnë vështirësitë e aviacionit në Kosovë dhe në botë. Pas përfundimit në mënyrë të suksesshme të këtyre tri edicioneve të Limak ASI, aeroporti ynë tani më mbështetet në këta të rinj sikurse edhe shteti i Kosovës. Kjo është çfarë shohin vizitorët pasi që arrijnë në këtë shtet, të rinj të arsimuar dhe profesionalë, njohës të mirë të gjuhëve ndërkombëtare të cilët mund të ofrojnë shërbime aeroportuale”, tha Köktürk.

Ndërsa, rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, duke falënderuar Limak-un për mundësimin e këtij programi për studentët e Universitetit të Prishtinës, shprehu shpresën që studentët të arrijnë karrierë profesionale dhe të jenë të dobishëm për shoqërinë.

“Kjo nuk do të ishte e mundur pa partner e miq të Universitetit të Prishtinës, siç është Limak-u, të cilët çdo herë kanë treguar gadishmëri për rekrutimin e studentëve tanë duke u hapur atyre rrugët për zhvillim profesional, por njëherësh duke rekrutuar në kuadër të personelit të tyre staf kreativ me njohuri dhe profesionalizëm në punë”, tha Dema.

Zv/ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Fehmi Mujota duke uruar studentët e diplomuar të kompanisë Limak ASI, tha se me bashkëpunime të tilla suksesi është i dalluar.

Kujtojmë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” – Limak Kosova, në bashkëpunim me qendrën franceze shtetërore për trajnimin në aviacionni civil (ENAC), Universitetin Publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës dhe Universitetit ‘Boğaziçi’ të Turqisë, ka themeluar Institutin për Shërbime të Aeroportuale në vitin 2014. Gjenerata e parë e përbërë nga 30 studentë të përzgjedhur nga 450 aplikues, ka diplomuar vitin e kaluar.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies