Hungaria nënshkroi një marrëveshje me Gazpromin rus për tu furnizuar me gaz natyror përmes tubacionit “Rrjedha Turke”, e cila pritet të bëjë dërgesën e parë në Hungari në fund të vitit 2019.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, deklaroi të mërkurën vonë se tubacioni “Rrjedha Turke” për Hungarinë paraqet mundësinë më të mirë për furnizim me gaz.
Ai tha se siguria energjetike është jetike për rajonin, pasi lidhjet ndërkombëtare midis Hungarisë dhe partnerëve të mundshëm të saj, Rumanisë dhe Kroacisë janë në ndërtim e sipër.
“Siguria energjetike është shumë e rëndësishme. Nga këto shkaqe, gazi i cili vjen nga ana jugore e Hungarisë është çështje e sigurisë kombëtare”, ka thënë Szijarto për agjencinë hungareze të lajmeve MTI.
Tubacioni “Rrjedha Turke” është një tubacion i gazit eksportues tranzit i cili jo vetëm që do të shtrihet përgjatë Detit të Zi nga Rusia në Turqi, por do të shtrihet edhe më tej në kufirin e Turqisë me vendet fqinje.
Sipas marrëveshjes mes qeverive për “Rrjedhën Turke” të firmosur tetorin e vitit të kaluar në Stamboll, planifikohet ndërtimi i dy linjave të tubacionit me kapacitet prej 15,75 miliardë metra kub në vit secili.
Njëra linjë parashihet të dërgojë gaz në Turqi, kurse linja e dytë, në rast të marrjes së garancive të nevojshme, në Evropë.