
Është hapur sot ne mjediset e Pallatit të Kongreseve në Shqipëri edicioni i 26-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, ku marrin pjesë kompani kombëtare dhe ndërkombëtare të profileve të ndryshme, përfshirë edhe nga Turqia, raporton AA.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit në Tiranë ishin ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i Shqipërisë, Eduard Shalsi, ambasadorë të vendeve pjesmarrëse në panair, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit (ITO), si dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit në Shqipëri dhe vendet e rajonit.
Në fjalën e tij, ministri Shalsi tha se panairet janë një moment shumë interesant për të bërë një bilanc të punës njëvjeçare.
“E kam vizituar këtë panair në cilësi të ndryshme dhe ëshët hera e parë që e vizitoj në cilësinë e ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Shqipëria vitet e fundit është përfshirë në një numër të jashtëzakonshëm reformash të vështira dhe të thella. Në këtë vorbull reformash, gjykuam se është e nevojshme të ekzistonte një ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Është një pranim në vetvete i faktit që bizneset përballen me vështirësi dhe kanë nevojë për një mbështetje të veçantë”, tha Shalsi.
Duke folur për politikat në dobi të biznesit, Shalsi tha se muajt e fundit është ndërtuar një rrjet koordinatorësh të dedikuar për lehtësimin e punës për biznesin, “duke hapur një kapitull të ri komunikimi me biznesin si asnjëherë më parë”.
Në përfundim të fjalës së tij, Shalsi falënderoi të gjithë pjesmarrësit në panair, duke theksuar se Shqipëria po bëhet dita ditës më tërheqëse për investimet e huaja.
“Ne besojmë që nuk mund të ketë një Shqipëri të begatë dhe një ekonomi të zhvilluar pa një biznes të shëndetshëm. Ftoj të gjithë ata që marrin pjesë në panair për herë të parë që ta shikojnë Shqipërinë si një vend të përshtatshëm për të investuar”, tha Shalsi.
Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës marrin pjesë edhe kompani nga Turqia
Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Stambollit, marrin pjesë dhe kompani nga Turqia, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm, si ndërtim, industrinë ushqimore dhe punimet artizanale. Panairin e vizitoi edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, së bashku me përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri.
Ambasadori Yörük u ndal në stendat e 15 kompanive turke, ku zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësuesit e tyre.

Gjatë vizitave në stendat e bizneseve nga Turqia, ambasadori Yörük u dorëzoi atyre certifikata falenderimi për pjesmarrjen në panair.
Panairi ka në fokus ekspozimet e materialeve dhe prodhimeve nga sektorët si ndërtimi, energjetika, turizmi, telekomunikacioni, infrastruktura rrugore, industria e lehtë, industria ushqimore, arti dhe edukimi, artizanati dhe teknologjia e avancuar.
Panairi organizohet nga shoqëria Klik Ekspo Group në datat 23- 26 nëntor, ku gjatë ditëve në vazhdim, në kuadër të tij do të organizohen disa aktivitete.