Fillimi EkonomiDimitrov në Kosovë: Problemi i masave doganore duhet të zgjidhet me dialog të përshpejtuar

Dimitrov në Kosovë: Problemi i masave doganore duhet të zgjidhet me dialog të përshpejtuar

nga Shekulli Agency

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, priti në takim homologun e tij nga Maqedonia, Nikola Dimitrov.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit me homologun e tij kosovar, Behgjet Pacolli lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për të vendosur një doganë prej 30 për qind për importet e produkteve bujqësore nga Maqedonia, theksoi se “ky problem duhet të zgjidhet me bisedime dhe jo me inate dhe kundërmasa ndaj Kosovës”.

“Një masë nuk mund të jetë e mirë për Kosovën në qoftë se nuk është e mirë edhe për mikun më të afërt dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Kjo është një masë e përkohshme por kemi detyrime ligjore me Marrëveshjen e CEFTA-s, e cila parasheh procedura por më e rëndësishme se detyrimet ligjore është se politika e re evropiane në Ballkan na detyron që të kuptojmë cilat janë problemet që përballet partneri ynë i Kosovës dhe ta zgjidhim këtë çështje”, tha Dimitrov duke shtuar se politika tjetër e Ballkanit është që të vendosen kundërmasa por se siç vazhdoi ai, problemi duhet të zgjidhet me dialog të përshpejtuar.

Ministri Jashtëm i Kosovës, Pacolli gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun e tij maqedonas, Dimitrov tha se Kosova ka një traditë të marrëdhënieve të mira reciproke me Maqedoninë.

Duke falënderuar homologun e tij Dimitrov për mbështetjen e dhënë për Kosovën në çdo takim bilateral dhe multilateral, Pacolli njoftoi se janë 21 marrëveshje të nënshkruara në mes dy shteteve ku edhe katër nisma janë në pritje që të shndërrohen në marrëveshje dhe memorandume ministeriale.

Pacolli theksoi se ka uruar homologun e tij për punën e shkëlqyer në zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë me Greqinë, çështje kjo që sipas Pacollit, e ka rënduar integrimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë për 26 vite.

“Ky veprim ka krijuar një atmosferë të favorshme në rajon. Për Kosovën është një arritje e madhe po ashtu sepse Kosovës i jepet një mundësi që të ketë ndjenja se jeton në një zonë më të sigurtë. E dini se çështja e emrit të Maqedonisë ishte kusht i parevokueshëm për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe integrimi i Maqedonisë në NATO do të thotë një komoditet për Kosovën, që ta ndiej veten në një zonë të NATO-s dhe më të sigurtë”, tha Pacolli.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies