
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se të paktën dhjetëra vende janë të interesuara t’i bashkohen bllokut të ekonomive në zhvillim BRICS.
“Interesi për këtë shoqatë globale është shumë, shumë i lartë dhe vazhdon të rritet. Nuk janë vetëm Algjeria, Argjentina dhe Irani. Në fakt, ka dhjetëra vende të tilla”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë pas takimit me homologun e tij indian, Subrahmanyam Jaishankar.
Aktualisht, tha Lavrov, vendet e bllokut BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) janë duke përpunuar kriteret formale për hyrje të vendeve tjera në bllok.
“Duke qenë se aplikimet tashmë janë dorëzuar zyrtarisht, sigurisht, ne presim që përpunimi i kritereve dhe parimeve për pranimin e anëtarëve të rinj në BRICS nuk do të zgjasë shumë”, tha Lavrov, duke potencuar se fillimisht është e nevojshme të kuptohet se si do të zhvillohet më tej blloku në përbërje potencialisht të zgjeruar.
Ai vlerësoi bashkëpunimin Rusi-Indi, duke theksuar se vëllimi i tregtisë dypalëshe së shpejti do të arrijë në 30 miliardë dollarë.
Shefi i diplomacisë ruse gjithashtu informoi se Rusia dhe India vazhdojnë diskutimet për prodhimin e përbashkët të armëve të avancuara, ndërsa bashkëpunimi mes vendeve vazhdon të zhvillohet me sukses në fushën e energjisë atomike dhe eksplorimit të hapësirës.
Më tej, ai tha se informoi homologun e tij indian për detajet e “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.
“Ne diskutuam situatën që po zhvillohet aktualisht rreth përpjekjeve të kolegëve tanë perëndimorë, nën pretekstin e ngjarjeve të Ukrainës, për të forcuar rolin e tyre dominues në çështjet botërore dhe për të mos lejuar demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha ai.
Javën e ardhshme takimi për Afganistanin në Moskë
Lavrov shpjegoi gjithashtu pse përfaqësuesit e talebanëve, sundimtarët “de facto” të Afganistanit, nuk u ftuan në takimin rreth Afganistanit që do të mbahet në Moskë javën e ardhshme.
Sipas tij, talebanët nuk kanë përmbushur premtimet e tyre për reformat në vend dhe për krijimin e një “qeverie më gjithëpërfshirëse”, e cila do të kishte përfaqësues të grupeve të ndryshme politike, etnike dhe fetare.
Por Lavrov premtoi se Rusia do t’ua përcjellë talebanëve rezultatet e punës së takimit të Moskës.
“Ne kemi kontakte të rregullta me përfaqësuesit e talebanëve. Ata do të informohen se çfarë do të thonë pjesëmarrësit në takimin e formatit të Moskës. Natyrisht, ne nuk kemi ndonjë sekret nga përfaqësuesit e Afganistanit, ne do t’i informojmë tërësisht talebanët dhe forcat e tjera politike që ekzistojnë atje”, tha ai.
Formati i Moskës përfshin Rusinë, Indinë, Iranin, Kazakistanin, Kirgistanin, Kinën, Pakistanin, Taxhikistanin, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin. Në takimin e mëparshëm, të mbajtur më 20 tetor të vitit të kaluar, morën pjesë delegacioni i talebanëve i kryesuar nga zëvendëskryetari i qeverisë së përkohshme Abdul Salam Hanafi.
Takimi i radhës, sipas të dërguarit presidencial rus për Afganistanin, Zamir Kabulov, do të zhvillohet më 16 nëntor.
India kundërshton fuqishëm luftën Rusi-Ukrainë
Jaishankar tha se India kundërshton fuqishëm luftën në Ukrainë, sepse konflikti në një pjesë të botës krijon shqetësime në pjesë të tjera të botës.
Ai gjithashtu theksoi se situata në Afganistan nuk e ka vëmendjen ashtu si e meriton.
Jaishankar iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë të një pyetjeje në lidhje me qëndrimin e Indisë për vendosjen e kufijve të çmimeve për naftën ruse, duke theksuar se India ka një kërkesë të madhe për hidrokarbure.
“Ne kemi për detyrë (përpara popullit tonë) të kemi qasje në tregun global të energjisë në kushtet më fitimprurëse”, tha ai.