Fillimi EkonomiDalja nga eurozona mund ti kushtojë Francës mbi 30 miliardë euro në vit

Dalja nga eurozona mund ti kushtojë Francës mbi 30 miliardë euro në vit

nga Shekulli Agency

Guvernatori i Bankës Qendrore të Francës, François Villeroy de Galhau tha se propozimi i kandidates për presidente Marine Le Pen që Franca të dalë nga euro dhe të kthehet në monedhën e saj të vjetër, mund t’i kushtojë vendit më shumë se 30 miliardë euro në vit.

Villeroy de Galhau i ftuar në Radio France-Inter fuqishëm mbrojti monedhën e përbashkët evropiane, dhe paralajmëroi votuesit që të mos besojnë në premtimet nacionaliste të Le Pen për forcimin e fuqisë blerëse nëse francezët braktisin monedhën e përbashkët.

Villeroy de Galhau vlerësoi se braktisja e euro-s do të shkaktonte inflacion të lartë dhe do të kishte pasoja shkatërruese në kursimet e individëve.

Njeriu i parë i Bankës Qendrore të Francës tha se një vendim i tillë do ta zhyste Francën në borxhe për më shumë se 30 miliardë euro në vit, e cila përafërsisht është e barabartë sa i gjithë buxheti i mbrojtjes të Francës.

Kreu i ekstremit të djathtë francez të Frontit Kombëtar Marine Le Pen, në fillim të muajit shkurt ka nisur fushatën për zgjedhjet presidenciale në Francë dhe si pjesë e premtimeve parazgjedhore ka propozuar braktisjen e Eurozonës, NATO-s dhe në Bashkimin Evropian, uljen e moshës për pensionim dhe qëndrim të rreptë ndaj emigrantëve.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies