Ministrja Haxhiu: Nuk ka kërkesë nga mbrojtja për t’iu ofruar garanci të akuzuarve në Hagë

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se deri më tani nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga pala mbrojtëse e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po akuzohen për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë, për të ofruar garanci për mbrojtjen e tyre në liri.

Haxhiu, në një diskutim të organizuar nga organizata “Lëvizja FOL”, tha se nëse do ta pranojnë një kërkesë të tillë, do ta diskutojnë me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar.

“Nuk është një çështje juridike, pra nuk është juridikisht e rregulluar. Por, të shohim nëse do të ketë kërkesa nga mbrojtja dhe pastaj pa dyshim që do ta shqyrtojmë si të tillë”, theksoi Haxhiu.

Duke folur për Gjykatën Speciale, ajo tha se partia e saj ka qenë që nga fillimi kundër formimit të saj dhe forcimit të institucioneve vendore për të sjellë drejtësi për krimet e luftës. Ajo tha se i bën përgjegjës ata që kanë votuar Gjykatën Speciale, pavarësisht kush janë ata “por, shumica e tyre janë nga opozita”.

Përkundër kërkesave që të akuzuarit në Hagë të mbrohen në liri, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën duke mos marrë në konsideratë argumentet e ofruara nga mbrojtja e të akuzuarve.

Haxhiu ka folur edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ajo tha se çështja e të pagjeturve mbetet një ndër sfidat kryesore në këtë proces të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Sfida më e madhe dhe kërkesa jonë që është urgjente, pa dyshim që është çështja e të pagjeturve. Për faktin se ju e dini se Kosova ka mbi 1.600 persona të pagjetur që Serbia ndonëse ka informacione për ta, nuk e njofton Republikën e Kosovës se ku janë”, potencoi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu gjatë diskutimit tha se ndër prioritetet kryesore të ministrisë që ajo drejton është vetingu në drejtësi, adresimi i krimeve të luftës dhe adresimi i dhunës në familje.

Shekulli Agency