Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, bisedoi me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, rreth aktiviteteve ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe shprehu mbështetjen e Aleancës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Në postimin e tij në mediat sociale, Stoltenberg bëri të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me Zelenskiy.
Stoltenberg ka theksuar se NATO është seriozisht e shqetësuar për aktivitetet ushtarake të Rusisë në dhe rreth Ukrainës si dhe nga shkeljet e armëpushimit. “NATO mbështet vendosmërisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha ai.
Stoltenberg theksoi se janë të përkushtuar në partneritetin e ngushtë midis Ukrainës dhe Aleancës.
Në fund të marsit, ushtria ukrainase njoftoi se Forcat e Armatosura Ruse po dërgonin trupa në kufijtë e Ukrainës nën pretekstin e stërvitjes ushtarake.
Nga ana tjetër, Kremlini deklaroi se Rusia lëvizi forcat e armatosura brenda territorit të saj sipas vendimit të saj dhe se kjo nuk përbën kërcënim për askënd.
Përleshjet midis separatistëve pro-rusë, të cilët shpallën të ashtuquajturën pavarësi në rajonin Donbas në Ukrainën lindore, dhe administratës së Kievit, që nga viti 2014 kanë vazhduar me ndërprerje të përkohshme. Gjithashtu thuhet se në konfliktet e deritanishme më shumë se 13 mijë persona kanë humbur jetën.