Tërmeti në Shqipëri, numri i viktimave shkon në 13

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka shkaktuar paraprakisht 13 persona të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat ka konfirmuar se “Goditja kryesore e tërmetit u shënua në orën 3:55 minuta dhe ishte e magnitudës 6,3 me thellësi 10 km dhe me epiqendër në Durrës.”

“Një tjetër goditje kryesore e shkallës 5.5 Rihter dhe epiqendër në Kepin e Rodonit, u shënua pas goditjes së parë, ndërkohë që prej atij momenti janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe situata mbetet ende aktive.”, deklaroi Xhaçka.

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë 13 persona ka humbur jetën.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë ka konfirmuar se në spitalet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit”

Ndërsa Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka njoftua se “Pezullohet mësimi në gjithë territorin për sot, datë 26 nëntor 2019”.

Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme, pasi janë regjistruar edhe lëkundje të tjera.

Tërmeti ka shkaktuar probleme të shumta në telekomunikacion, dhe ndërprerje të energjisë elektrike në qytetet e vendit.

Tërmeti është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Malin e Zi.

Reagime për tërmetin

Në lidhje me pasojat që ka shkaktuar tërmeti kanë reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri i vendit, Edi Rama.

Presidenti Meta në një reagim në rrjetet sociale tha se pasojat e tërmetit në Durrës janë dramatike dhe kërkojnë organizim të jashtëzakonshëm, jo vetëm shtetëror, por mbarëqytetar dhe thekson. “Duke falënderuar institucionet për punën e tyre u apeloj të gjithë sipërmarrësve dhe qytetarëve që mund të ndihmojnë sadopak, të kontribuojnë që mijëra familje të tejkalojnë këtë moment dramatik”.

Rama në rrjetet sociale shkruan se do të vijojnë kërkimet që do të kryhen me durim e imtësi deri në fund, ndërsa shton se “pas pak orësh do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi.”

“Por lehtësimi për çdo jetë të shpëtuar s’e bën më të vogël dhimbjen për jetët e humbura dhe keqardhjen e jashtëzakonshme për familjet që lotojnë të humburit”, shkruan Rama.

Kujtojmë se Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si “tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit”.

Shekulli Agency