Çelik reagon për lejimin e zgarës me mish derri para xhamise në Rotterdam

Ministri i Çështjeve të Bashkimit Evropian (BE) i Turqisë dhe Kryenegociatori Ömer Çelik, ka reaguar ndaj lejimit të organizimit të zgarës me mish derri në kohën e iftarit para një xhamie në qytetin Rotterdam të Holandës.

“Organizatës së ekstremit të djathtë PEGIDA në Rotterdam i është dhënë leje që të bëjë zgarë para xhamisë. Anëtarët e kësaj organizate fashiste do të bëjnë zgarë dhe pjekin mish derri para xhamisë Laleli në Rotterdam, xhami kjo e lidhur me Diyanetin. Ky është veprimi më imoral që është vërejtur në historinë e krimeve të urrejtjes deri më sot. Edhe lejimi i një veprimi të tillë kaq imoral është një mungesë tjetër e moralit”, ka shkruar Çelik në rrjetin social Twitter.

Ai ka rikujtuar se në qytetet e tjera të mëdha të Holandës nuk janë lejuar tentativat e PEGIDA-s për të bërë zgarë me mish derri para xhamive.

“Por, kryetari i bashkisë së Rotterdamit, Ahmed Abutalib, është i mendimit se ky veprim i PEGIDA-s nuk është në kundërshtim me ligjet. Çfarë tragjedie e madhe!”, ka thënë Çelik.

“Që kur qenka bërë një e drejtë ligjore mosrespektimi i xhamive? Mosrespektimi i xhamive, kishave, sinagogave është krim i urrejtjes. Nuk mund të ketë ndonjë ligj që lejon krimin e urrejtjes”, ka theksuar më tej Çelik, duke bërë të ditur se kryebashkiaku Abutalib, i cili ka pohuar se organizimi i kësaj shfaqjeje është e drejtë themelore, vjen nga një familje muslimane.

Çelik ka njoftuar se organizatat turke dhe ato muslimane në të njëjtin afat kohor do të zhvillojnë aktivitete duke lënë lule përreth xhamive dhe se “kundër aromës së urrejtjes do të formojnë një mur dashurie me lule”.

“Është një mësim i vërtetë i njerëzimit. Muslimanët do të japin ‘mësime humanizmi’ përballë politikës së urrejtjes. Në këtë mënyrë do të kujtojnë respektin ndaj xhamive, kishave, sinagogave. Do të theksohet se në një vend ku nuk është i pranishëm respekti do të mbizotërojë urrejtja dhe jo demokracia, e drejta dhe liria. Është e nevojshme që nga të gjithë së bashku të ngrihet zëri njerëzisë kundër qarqeve të urrejtjes”, ka theksuar Çelik.

Organizata e eksretmit të djathtë PEGIDA nëpërmjet mediave sociale kishte njoftuar se këtë javë para xhamive në kohën e iftarit në qytetet Rotterdam, Utrecht, Gouda, Hagë dhe Arnhem do të bëjë zgarë me mish derri, ndërsa bashkia e Rotterdamit ka dhënë leje që ajo të bëjë një gjë të tillë para xhamisë.

Shekulli Agency