Kina mbështet “masat shtesë” kundër Koresë së Veriut

Ministri i Jashtëm i Kinës, Vang Yi, ka njoftuar se vendi i tij mbështet Kombet e Bashkuara që të marrin masa shtesë kundër Koresë së Veriut.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Pekin, ai ka theksuar se Koreja e Veriut me testimet e fundit nukleare që ka kryer ka shkelur në mënyrë të rëndë vendimet e OKB-së dhe ka dëmtuar marrëveshjen për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore.

Duke nënvizuar se qeveria e Pekinit ka dhënë miratimin që OKB-ja të hedhë hapat e nevojshëm shtesë kundër qeverisë së Phenianit, Vang tha se gjysmën e çelësit që do të hapë “kyçin e problemit nuklear” të Koresë së Veriut e përbëjnë presionet dhe sanksionet, ndërsa gjysmën tjetër dialogu dhe negociatat.

“Problemi bëthamorë” i Gadishullit Korean do të zgjidhet nëse këto të dyja bashkohen, është shprehur më tej ministri Vang.

SHBA-ja ka ndarë me vendet anëtare të KS-OKB-së draftin i cili përmban sanksione të reja kundrejt Koresë së Veriut dhe gjithashtu ka kërkuar që ky tekst të miratohet ditën e hënë më 11 shtator.

Shekulli Agency