SHBA në kërkim të vetvetes

Sapo përfundoi fjalimi inaugural i Trumpit, në televizionin “France 24” dëgjova komentin e një analisteje: “Trumpi tha me zë të lartë e të fortë po ato që Obama i ka thënë me zë më të ulët e më të butë”. Me të vërtetë deri tani duket se në “sfidën Trump” paralajmërohet më shumë vazhdimësi se novacion politik. Ndyshimet janë retorike.

Shkruan: Abdi BALETA

Këtë e tregojnë tri zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA (Obama në vitet 2008 dhe 2012 dhe Donald Trump më 2016). Deri në këtë kohë trajektorja e fuqisë amerikane në botë kishte shënuar vetëm ngjitje, sidomos nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore (LDB) dhe i Luftës së Ftohtë, kur SHBA-ja u bë e vetmja superfuqi në një botë njëpolare. Por, është mësim i historisë se në kulmin e fuqizimit e të shkëlqimit fillojnë të dallohen edhe njollat e e para të gërvishturat, edhe në rastin e një shteti si SHBA. Këto të gërvishtura u shfaqën në kohën e presidentit Xhorxh Bush i Biri, kur ndërhyrja ushtarake amerikane mori përmasa alarmante për botën dhe për vetë SHBA. U bë e nevojshme të kërkoheshin imazhe të reja për madhështinë e këtij shteti. Në zgjedhjet e vitit 2008 u duk qartë se forcat në prapaskenë, që marrin vendimet e rëndësishme, u vunë në kërkim të një imazhi të ri për SHBA-në në botë. Për herë të parë u shtrua problemi i prishjes së traditës për zgjedhjen e kreut të shtetit midis burrave më të njohur të vendit, për të sjellë si president një grua ose një qytetar amerikan me ngjyrë. Të dyja kandidaturat u përzgjodhën nga radhët e Partisë Demokrate, së cilës i takonte tashmë të vinte në pushtet pas 8 vitesh qeverisjeje nga Partia Republikane që kishte hyrë në krizë. Nderi për të qenë presidenti i SHBA-së iu rezervua Barak Obamës, zgjedhja e të cilit u shoqërua me një “Obamamani” në SHBA e në botë, e cila u zbeh shpejt pa sjellë rezultatet e pritura në Amerikë, sidomos gjatë mandatit të dytë të tij. SHBA-ja duhej të vihej sërish në kërkim të vetvetes në zgjedhjet e 2016.

Më 20 Janar 2017 për disa orë u gozhduam para ekraneve televizive për të ndjekur ceremonitë e marrjes zyrtarisht të pushtetit presidencial nga Donald Trump. Ishte paralajmëruar se ceremonitë do të ishin më të shkurtra se zakonisht, por ishin njësoj madhështore si të mëparshmet, madje edhe më të kushtueshme. Protokolli e dekori ceremonial ishin në lartësinë e duhur. Fjalimi populist i Trumpit tregoi se retorika e tij politike ishte më e stilizuar, por po aq e fortë sa gjatë fushatës zgjedhore, e cila i rikonfirmonte mesazhet dhe deklaratat tronditëse që kishte bërë në betejat për Shtëpinë e Bardhë. Presidenti synonte të vinte themelin e asaj që tashmë ka filluar të quhet “doktrina Trump”, doktrina e krijimit të një imazhi e roli të ri për SHBA-në, sipas motos “Amerika para së gjithash”. Qysh më 20 Janar 2017 nisën hamendësimet e gjithfarëshme se çfarë do të shënojë kjo ditë në zhvillimet e ngjarjeve brenda në SHBA e në botë. A do të bëhet një tjetër Amerikë?! A do të jetë bota ndryshe? A do të sjellë fitorja e Trumpit një gjallërim të forcave politike konsevatore dhe në vendet me demokraci liberale, siç shpreson Mari Le Pen në Francë?! A do të nxisë kjo fitore lindjen e pushteteve autoritariste sipas “të modës e modelit Putin” në Europë e jashtë saj?! Pikëpyetje si këto e të tjera nuk mund të marrin përgjigje shpejt e lehtë. Tani për tani duhet të vërejmë se “Euforia Trump” nuk e ka forcën tërheqëse që pati “Obamamania” e vitit 2008. Përkundrazi, po zgjerohet lëvizja e pakënaqësisë dhe e protestave për fitoren e Trumpit.

“Sfida amerikane” ka qenë titulli i një libri të botuar në Francë para afër një gjysmë shekulli dhe që pat bërë jehonë (Jean-Jacques Servan-Schreiber, “Le defi americain”, Paris 1969). Fjalimi që mbajti Donald Trump pas bërjes së betimit si presidenti i 45-të i SHBA tingëlloi si një “sfidë e re amerikane” për botën dhe për vetë SHBA-në, për politikat e deritanishme amerikane brenda e jashtë vendit. E veçanta e parë dhe kryesore e kësaj sfide ishte theksimi me forcë nga Donald Trump i idesë se nuk po bëhej fjalë për një ndërrim rutinor të pushtetit, por për kalimin e pushtetit nga institucionet në Uashington, në duart e popullit të shpërfillur amerikan. Pra, “sfida Trump” u përurua me një akuzë të rëndë për vetë demokracinë amerikane, të shenjtëruar si më e përsosura në botë. “Sfida Trump” befasoi me aludime të hapura se në vend po ndodhte një përmbysje revolucionare shoqërore e politike. Këtë populizëm presidencial Trump e shpalosi qortueshëm në prani të katër paraardhësve të tij në postin e presidentit dhe para rivales së tij Hillari Klinton (demokrate), dy herë garuese e pafat për të zënë karrigen presidenciale. Donald Trump po premtonte të shëronte lëngatën e gjatë të SHBA-së, që e kishte trashëguar prej tyre, të rindërtonte një Amerikë të re në vend të asaj të vjetruar, të rraskapitur e të zhgënjyer. Ndërkohë, në rrugët e Uashingtonit vlonte një tjetër populizëm masiv militant. Të pakënaqurit nga fitorja e Trumpit i thyenin vitrinat e përlesheshin me policinë. Amerika po vetësfidohej në dy kahje të kundërta.

“Befasia” e fitores dhe “sfida Trump” ishin të paralajmëruara. Ngjarjet e mëdha në histori dhe kthesat e forta ose ndryshimet e bujshme në politikë nuk ndodhin kurrë papritmas dhe nuk vijnë krejt befasisht. Jo rrallë botimi i një ose disa librave nga specialistë të ditur ose politikanë me temperament të fuqishëm ka qenë i mjaftueshëm për të nxitur dyshimin se diçka e re e me shumë rrjedhoja po afrohej. Libri më i suksesshëm paralajmërues i kohëve të fundit më duket ai i studiuesit britanik, Roger Bootle, “The Trouble with Europe” (Ngatërresat me Europën, 2014), që faktikisht predikoi e profetizoi atë që do të ndodhte në verën e vitit 2016, “Breksit-in”, daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Kjo dalje duhej kuptuar si shenja më e sigurt paralajmëruese se në SHBA faktorët politikë vendimmarrës po përgatisnin ardhjen në pushtet të Donald Trumpit, si njeriu që do t’i ristrukturonte edhe marrëdhëniet SHBA – Europë, për të shënuar një vijë më të qartë dalluese midis atlantizmit anglo-amerikan nga euroatlantizmi kontinental. Shenja për ardhjen e Trumpit në krye të politikës amerikane kanë qenë më të hershme. Filmat vizatimorë e filmat-reklamë për biznesmenin e suksesshëm e me stil të vrullshëm, Donald Trump, ishte pjesë e strategjisë tashmë të njohur gjerësisht të formatimit mediatik të liderit të ardhshëm. Nuk mund të gjykojmë se sa Hillari Klinton i ka vënë re shenjat se kandidatura e saj do të ngecte pa arritur cakun, edhe pse parashikimet ishin se do të fitonte. Adhuruesit e Klintonit nuk mbajtën parasysh se forcat me peshë në skenën amerikane mund të reagonin negativisht ndaj këmbënguljes për një vijimësi partiake demokrate në Shtëpinë e Bardhë për 12 vjet me radhë, ndaj praktikës së konfigurimit të dinastive presidenciale në SHBA.

“Sfida Trump” ishte paralajmëruar në mjaft botime amerikane të viteve të fundit, që shpjegojnë gati pikë për pikë të njëjtat dukuri amerikane e botërore që prekeshin nga presidenti i ri amerikan. Këtu po veçoj së pari librin e Richard N. Haass “Foreign Policy Begins at Home. The Case for Putting America’s House in Order” (Politika e jashtme nis nga shtëpia. Rasti për të vënë rregull në shtëpinë e Amerikës, 2013). Në këtë libër është shtjelluar më gjerësisht tri vite më herët gjithë përmbajtja e fjalimit inaugural të presidentit Trump dhe “doktrina Trump”, që po merr formë tani. Është një traditë e hershme në jetën politike amerikane, që me emrin e një presidenti të lidhet një doktrinë e caktuar: “Doktrina Xheferson” e izolacionizmit amerikan (koha e luftërave napoleonike); “Doktrina Monro” (1803) për të mbajtur larg europianët nga punët e kontinentit amerikan dhe “Doktrina Teodor Ruzvelt” dhe “Doktrina U. Uillson” për daljen e SHBA-së nga izolacionizmi si “mbajtëse e baraspeshës në botë”.

Pas LDB-së dhe Luftës së Ftohtë epërsinë amerikane në botë doktrinat e disa presidentëve e kanë motivuar me mbrojtjen të drejtave të njeriut e të botës së lirë nga rreziku sovjetik dhe totalitarizmi komunist. Pastaj dolën “doktrinat Bush – i Ati dhe i Biri” për “rendin e ri botëror” dhe “mbrojtjen e vlerave të demokracisë perëndimore nga fundamentalizmi e terrorizmi islamik”.

Riçard Haass në librin e tij ka argumentuar domosdoshmërinë e reformave të brendshme në Amerikë. Ai e ka vënë vetë në dukje se ky libër “shkon deri në kufijtë e herezisë nga një njeri që për afër katër dekada ka luajtur fort me kartën e politikës së jashtme”. Haass librin e ka nisur me një fjali vërtetë “heretike”: “Kërcënimi më i madh ndaj sigurisë dhe begatisë së Amerikës nuk vjen nga jashtë, por nga brenda vendit”. Mirëpo, kjo ide ishte strumbullari i fjalimit inaugural të Donald Trumpit. Riçard Haass, pasi ka vënë në dukje problemet e vështira me të cilat është ndeshur Amerika gjatë luftërave në pjesë të ndryshme të botës, ka theksuar: “Por, gjendjen e bëjnë veçanërisht shqetësuese një numër zhvillimesh brenda vendit, si rritja e shpejtë e deficitit e borxhit shtetëror, rrënimi i infrastrukturës, shkollat pa cilësi, një sistem imigrimi i vjetruar dhe gjasat për rritje të ulët ekonomike për një periudhë të gjatë kohore. Shumë nga themelet e fuqisë së këtij vendi po gërryhen… dështimet e mangësitë brenda vendit drejtpërsëdrejti dëmtojnë aftësinë e Amerikës për të treguar fuqi dhe ushtruar ndikim në botë dhe për të dhënë një shembull që do të ndikojë në mendimin e sjelljen e të tjerëve”. Të gjitha këto të këqija i vuri në dukje presidenti Trump, kur betohej për t’i ndryshuar krejt faqen Amerikës, për të ringritur infrastrukturën, për të riatdhesuar uzinat e investimet amerikane, që kanë fluturuar jashtë vendi; kur këshillonte amerikanët të blejnë mallrat amerikane dhe në Amerikë të punësojnë në radhë të parë amerikanë, “për ta bërë kështu Amerikën madhështore përsëri”. Kjo gjuhë e Trumpit ngjan shumë me atë të Putinit për të rivendosur madhështinë e autoritetin e Rusisë. Edhe Trump po e trumbeton shumë nocionin e “patriotizmit amerikan”. Para tij Haass ka theksuar se: “Nacionalizmi mbetet gjithashtu shumë i fortë në SHBA”.

Në një leksion të titulluar “Perandoria e fundit”, mbajtur në nëntor 1997, shkrimtari amerikan (majtist) Gor Vidal theksonte: “Vjen një çast kur perandoritë pushojnë së vepruari me energji dhe bëhen simbolike ose ekzistenciale, si jemi qenë mësuar të themi në vitet 1949” (Gor Vidal, The Last Empire, 2001, f. 185). Këtyre kambanave të alarmit u kanë rënë, me dëshirë të mirë ose të keqe, edhe shkrues të tjerë: Nancy Soderberg “The Superpower Myth. The Use and Misuse of American Might”, 2005 (me parathënie nga Bill Klinton); Wolden Bello “Dilemas of Domination. The Unmaking of the American Empire” (2005), George Soros “The Bubble of American Supremacy” (Flluska e epërsisë amerikane), 2004 etj. Por, është sërish Riçard Haass që vë gishtin si duhet në plagë: “Izolacionizmi nuk ka absolutisht më kuptim në shekullin XXI, por Amerika ka nevojë ta rimendojë atë që kërkon të arrijë në botë. Amerika duhet të bëjë dallimin midis të dëshirueshmes dhe jetikes, si dhe midis asaj që mund të bëhet dhe asaj që është e pamundur”. Trumpi la përshtypjen se do ta sojë edhe të pamundurën.

Trumpi nuk tha shprehimisht se kur Amerika ka qenë aq madhështore sa ka ndërmend ta bëjë ai. Por, libri i Servan Shraiber “Le defi americain” është shkruar për të dhënë alarmin për rrezikun e sundimit të Europës nga Amerika, e cila ishte në kulmin e fuqisë. Ai u bënte thirrje europianëve të gjenin përgjigje për pyetjet: “Ku është industria europiane, ku është kultura europiane? Po të mos mendojmë për këto, ato së shpejti nuk do të ekzistojnë më”. Kaq e tmerrshme shihej atëherë “sfida amerikane” për rimëkëmbjen e Europës perëndimore. Ndërkaq Trump “sfidën e re amerikane” e bën duke i qortuar rëndë ata që vetëm kanë përfituar nga ndihmat bujare amerikane për zhvillimin ekonomik të tyre dhe për mbrojtjen e kufijve të tyre, pra në radhë të parë aleatët europianë, anëtarët e NATO-s dhe Japoninë. Këtyre Trumpi po u thotë se është koha t’ia kthejnë Amerikës “borxhet që ia kanë”. Edhe Haass e kishte qortuar Europën dhe Kinën për vështirësitë ekonomiko-financiare që i krijonte SHBA-ja. Edhe Robert Kagan kishte shkruar se: “Është koha që të mos pretendojmë më se Europa dhe Amerika kanë pikëpamje të njëjta mbi botën” (Paradise and Power, 2003).

Frikën dhe urrejtjen ndaj “sfidës amerikane” pas LDB-së e kishte shprehur edhe pjesa komuniste e Europës. Nikita Hrushovi i thoshte të dërguarit të presidentit Kenedi: “Ne rusët kemi përballuar tri luftëra në gjysmën e parë të shekullit (XX). Juve amerikanëve kurrë nuk u është dashur të bëni luftë në truallin tuaj gjatë 50 viteve të fundit. Ju keni dërguar trupa në Europë gjatë dy luftërave të fundit botërore dhe nga kjo keni përfituar për t’u pasuruar. Amerika ka derdhur vetëm disa pika gjaku të saj duke fituar miliarda dollarë, duke larë në gjak pjesë të tjera të botës” (Pierre Salinger “De memoire”, 1995, f. 255). Vitet e fundit, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë dhe vendosjes së embargos amerikane kundër Rusisë, Putini e Moska kanë qenë tejet të zemëruar me Obamën e Uashingtonin dhe shpresojnë se Trumpi do të ndjekë politikë tjetër ndaj tyre. Tani për tani ka vetëm spekulime, por gjasat janë që klima e acartë amerikano-ruse të zbutet me disa gradë. Këtë synim e ka dhe deklarata e Trumpit se NATO tashmë është vjetruar, ndonëse mbetet e dobishme. Është oferta e parë amerikane që rusët të fillojnë të qetësohen rreth një problemi prej të cilit e ndjenin veten të tradhtuar e të rrezikuar – zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes. Gor Vidal kishte bërë kritika të forta për këtë zgjerim. Trumpi mund të jetë duke menduar seriozisht si të riparojë një gjendje që i nervozon rusët. Deklarata e Trumpit lidhur me NATO-n, ndikimin e parë konkret mund ta ushtrojë në Ukrainë, në Kaukaz dhe, sidomos, në Ballkan. Hapet rruga për t’i dhënë Rusisë garanci për mospërfshirjen e Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë në strukturat e NATO-s. Pra, i quajturi Ballkan Perëndimor (përjashto Shqipërinë), edhe pse një ditë mund ta shohë veten i përfshirë në BE, mbetet jashtë NATO-s, tamam siç pretendon Serbia sot. Shqipëria e Kosova përsëri janë një “rast sui generis”. Kjo ndjell frikë derisa politika e Trump-it në Ballkan të qartësohet përfundimisht.

Zbutja me Rusinë i duhet Amerikës për të penguar një afrim të mëtejshëm Rusi-Kinë. Ka kohë që vëzhguesit amerikanë theksojë se për SHBA-në problem më shqetësues është Kina dhe se qendra e vëmendjes dhe shqetësimit e politikës amerikane është zhvendosur në Oqeanin Paqësor.

Problemet e mprehta e krizat ndërkombëtare Trump praktikisht i kapërceu me heshtje. U ndal posaçërisht e shprehimsisht vetëm në përbetimin se do ta çrrënjosë nga faqja e dheut terrorizmin radikal islamik”, si armiku i vetëm i Amerikës, siç kishin bërë edhe Obama e Xhorxh Bushi para tij për 16 vite. Politika e jashtme e administratës së Trumpit mbetet ende e mbështjellë me mjegull të dendur. Vali Nasr (ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Hillari Klintonit dhe Riçard Hollbrukut në Departamnetin e Shtetit) në librin e tij “Dispensable Nation. American Poreign Policy in Retreat” (2013) ka argumentuar se: “Pasi filloi detyrën në vitin 2009, administrata e Obamës pati rastin e mirë për t’i bërë një riformatim rrënjësor politikës së jashtme amerikane. Por, nga frika e një goditjeje politike prapavepruese dhe e spektrit të terrorizmit, e udhëhoqi politikën e jashtme sipas të njëjtave strategji si paraardhësit e tij. Ndërkohë rreziqet ekonomike të fuqisë amerikane, Rusia dhe Kina, qetësisht e shtrinin ndikimin e tyre në vende ku Amerika për një kohë të gjatë kishte prirë”.

Sapo përfundoi fjalimi inaugural i Trumpit, në televizionin “France 24” dëgjova komentin e një analisteje: “Trumpi tha me zë të lartë e të fortë po ato që Obama i ka thënë me zë më të ulët e më të butë”. Me të vërtetë deri tani duket se në “sfidën Trump” paralajmërohet më shumë vazhdimësi se novacion politik. Ndyshimet janë retorike. Trumpi nuk ka për të ndërtuar një SHBA tjetër, as një botë ndryshe. Ligjësitë e faktorët objektivë i përcaktojnë gjeopolitikat e gjeostrategjitë e çdo vendi e në shkallë globale. Në SHBA do të ndodhin ndryshime, por jo përmbysje. Kur e ka trajtuar temën “American Primacy” (Amerika në krye) Riçard Haass është shprehur: “Mundet të më përshkruajnë si disfatist, si një tjetër apostull i rënies së Amerikës, por le të jem i qartë – besoj se SHBA-ja zotëron fuqi e potencial të madh… SHBA-ja nuk dominon më si dikur, por mbetet forca më e madhe ndikuese në botë, do të jetë qendra më e fuqishme drejtuese në punët botërore (të paktën deri në gjysmën e shekullit XXI). Trumpi e dëshmoi se prania amerikane në botë nuk do të zvogëlohet, ekspansionizmi dhe intervencionizmi amerikan nuk do të ndërpriten. “Obamamania” e para 8 viteve ngjalli më shumë iluzione. Tani “Euforia Trump” po ndjell më shumë frikë. Marrë në përgjithësi, Amerika e bota edhe gjatë 4 ose ndoshta 8 viteve të presidencës së Trumpit do të jenë siç kanë qenë.

Shekulli Agency