MAQEDONI- BESA: BDI e nënçmoi me ligj flamurin kombëtar

orhan-8777Ligji në fuqi që parashikon përdorimin e flamurit shqiptar me dimensione trefish më të vogla nga ai maqedonas, është ligj nënçmues për shqiptarët, kështu e cilëson koalicioni “Rilindje me Besë”.

Zëdhënësi i shtabit zgjedhor, Orhan Murtezani  tha se madje edhe ligji i ish Jugosllavisë ishte më liberal sa i përket përdorimit të flamurit, se sa ligji i miratuar nga BDI-ja.

“Sipas nenit 8 të ligjit për përdorimin e flamujve i  vitit 1973, pra ish Jugosllavia, në mënyrë taksative thuhet që gjatë përdorimit të përnjëhershmë të më shumë flamujve dimensionet e tyre patjetër duhet  të jenë të barabarta. Kurse dimensionet e tanishme të flamurit kombëtar shqiptar janë sa një e treta e flamurit kombëtar maqedonas”, ka deklaruar Orhan Murtezani, zëdhënës i shtabit zgjedhor të koalicionit “Rilidje me Besë”.

Murtezani tha se kërkesa e tyre është shumë e qartë, ti jepet fund përbuzjes së flamurit shqiptar, ndërsa këtë mund ta bëjnë shqiptarët përmes votës më 11 dhejtor.

“Poashtu e kemi amanet që, bashkë me urimin për këtë festë, t’jua rikujtojmë se më 11 dhjetor me votën tonë mund t’i japim fund edhe qeverisjes së partisë e cila publikisht është deklaruar që e përkrah miratimin e stemës shtetërore me luanin e VMRO-së”, tha më tej ai.

Orhan Murtezani më tutje shtoi se ligji aktual jo vetëm për shqiptarët,  është nënçmim  edhe për luftën e Skënderbeut, kontributin e Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, gjithashtu paraqet pengesë për shqiptarët e Maqedonisë që ta ndiejnë frymën e vërtetë të Festës së Flamurit.

Emine Ismaili /SHENJA/

Shekulli Agency