Lëvizja BESA: Modernizimi i shkollave shqipe nuk bëhet me shkatërrimin e arsimit

valdetaPas publikimit të lajmit se në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë “Nikolla Shetjn” në Tetove u inaugurua pilot-projekti “Microsoft Showcase Classroom” për inkorporimin e platformave teknologjike në arsim, Lëvizja BESA pyet nëse është edhe ky një projekt sa për sy e faqe, i cili asnjëherë nuk do të shohë dritën e realizimit?

“Në të vërtetë i pyesim funksionarët e BDI-së se a kanë ata njohuri për kushtet në të cilat punojnë shkollat në gjuhën shqipe, ku mungojnë edhe pajisjet themelore? Siç e dimë, edhe në të kaluarën ka pasur paralajmërime për projekte, siç ishte ai “Kompjuter për çdo nxënës”, por ai nuk ishte funksional në shkollat shqipe, meqë aty nuk ka qasje në internet. Problem tjetër për të cilin duhet të brengosen funksionarët e BDI-së, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë e Arsimit, janë edhe programet e reja që nuk janë të përpunuara në mënyrë adekuate. Tekstet shkollore nuk korrespondojnë me plan-programin mësimor, ndërsa për shumë lëndë tekstet shkollore mungojnë dhe nxënësit janë të detyruar të mësojnë nga shënimet e diktuara – njësoj si në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar. Sipas të dhënave në entin statistikor, 50% të filloristëve janë shqiptarë, por numri i shkollave, paraleleve dhe mësimdhënësve nuk korrespondon me numrin e nxënësve që mësojnë në gjuhën shqipe. Kemi numër më të madh të nxënësve, por kemi numër të vogël të mësimdhënësve, paraleleve e me këtë edhe të shkollave”,  thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Lëvizja Besa vlerëson se edhe pas më shumë se çerek shekulli nga pavarësimi i shtetit ose edhe pas 15 vite nga konflikti i armatosur nuk u hoq dorë nga politikat e dyfishta në arsim, me theks të veçantë te shkollimi i shqiptarëve. “Natyrisht, fajin kryesor për këtë gjendje e mban subjekti shqiptar në qeverinë VMRO-BDI, sepse për ta është me rëndësi libreza partiake e jo përgatitja profesionale e kuadrove. Të kësaj natyre janë edhe shkarkimet e drejtorëve dhe të punësuarve të tjerë që nuk janë “të dëgjueshëm” ndaj nënës parti. Prandaj kërkojmë që edhe ky projekt të mos shërbejë si lavatriçe për përfitime grupore në kurriz të arsimit dhe të nxënësve shqiptarë.”, thuhet më tej në reagimin e Lëvizjes BESA.

Lëvizja BESA ripërsërit nevojën e ridefinimit edhe të sistemit arsimor, me reforma të rrënjësishme, me departizim dhe depolitizim të institucioneve arsimore, me të cilat do të sigurohen kushte të barabarta dhe adekuate për vijimin e procesit arsimor edhe në shkollat shqipe.

Shekulli Agency