Drafti i reformës në drejtësi në Kuvend/ Zbardhen dy planet e Ramës

rama-786655Konferenca e Kryetarëve ka futur në kalendarin tre javor të punimeve paketën me ndryshimet kushtetuese, duke i hapur rrugë kalimit të draftit në seancë plenare. Mirëpo një gjë e tillë ka ndodhur në mënyrë shumë të fshehtë.

Fillimisht pas përfundimit të mbledhjes u deklarua se drafti i reformës u shty. Mirëpo pasdite, në faqen e Kuvendit u zbardh kalendari dhe rezulton që paketa është futur në punimet e këtij muaji, gjë që ka sjellë shumë reagime të forta nga demokratët. Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka deklaroi se paketa është futur pa dijeninë e tyre dhe sipas tij, kushdo që e ka bërë këtë do të ndiqet penalisht.

“Sot” shkruan se fakti se pati deklarata kontradiktore dje për futjen e paketës me ndryshimet kushtetuese në kalendarin e punimeve, ka ngritur hije dyshimi mbi synimet e kryeministrit Edi Rama. Dje në Kuvend është folur mbi dy plane: Njëri është miratimi i reformës në drejtësi me vjedhjen e votave nga opozita dhe tjetri është shtyrja e saj me 1 vit. Dyshimet janë se po synohet të ndodhë kjo e fundit.

Një detaj interesant që nuk ishte prekur deri më tani është fakti se në Kushtetutën aktuale është përcaktuar se nëse dështon pr/ligji për ndryshimin e saj atëherë ndryshimi mund të ritentohet vetëm pas 1 viti. “Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum”, thuhet në pikën 8 të nenit 177.

Ishte deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, ai që hodhi hije dyshimi mbi planin e Edi Ramës, pasi flitet se synohet që drafti të shkojë në seancë plenare dhe të rrëzohet aty. Kjo do të bënte që për 1 vit reforma të shtyhej automatikisht. Por në 2017 janë zgjedhjet e përgjithshme dhe kjo do të bëjë që drafti të përfundoje në kalendat greke dhe me qeverinë e re që krijohet nuk dihet më se çfarë mund të ndodhë. Nga ana tjetër, në lojë është dhe plani i blerjes së votave. Ndoshta PS ka arritur të bindë disa deputetë nga opozita dhe do e kalojë draftin me ndihmën e tyre. Presionet janë të shumta kundrejt deputetëve të menduar si renegatë të mundshëm.

Shekulli Agency