Analistët në “Rruga e re”: Gruevski shfrytëzon pushtetin për të shpëtuar nga burgu

rruga-e-re1-777x380Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja po e shfrytëzojnë pushtetin për të shpëtuar veten nga burgu. Prandaj po bëhen gjithë këto skena që aludojnë në një krizë të thellë. Por, kriza mund të kalohet vetëm me përgjegjësinë e kriminelëve para organeve të drejtësisë, dhe ardhjen e fytyrave të reja të pa inkriminuara. Ky është vlerësimi i analistëve Nano Ruzhin dhe Ismet Ramadani, mysafirë në emisionin Rruga e Re. Sipas tyre, jeta politike e kreut të VMRO-DPMNE-së tashmë ka mbaruar prandaj duhet pastruar terreni për një frymë të re politike.

“Nuk mund të themi se kriza po thellohet, kriza kalon nëpër një episodë, që e ka ndërtuar dikush nga pushteti dhe i cili mendon se në atë mënyrë do të kishte mundur të shpëtojë. Atyre do të ju konvenonte që të ketë ndonjë kaos, apo përplasje vetëm për ta shpëtuar kokën e liderit. Po kërkohet rrugëdalje sepse janë të vetëdishëm se janë nën presion. Dhe janë të vetëdishëm për veprat që i kanë bërë. Ata janë duke luftuar për mbijetesën e tyre personale”, ka thënë analisti Nano Ruzhin në “Rruga e re”.

Analisti Ismet Ramadani kritikon edhe partitë shqiptare në parlament BDI dhe PDSH të cilat sipas tij, shumë vonë kanë kuptuar se nuk duhet të përkrahin verbërisht politikat e Gruevskit. U deshtë presioni ndërkombëtarëve që ata ta lëshojnë Gruevskin të shkojë vetë në zgjedhje për të cilat shumica pajtohen se nuk ka kushte elementare.

“Tani erdhën në situatë kur duheshte patjetër të ndalen dhe ta lënë Gruevskin të ecë vetë. Dhe kjo nuk mund të merret më si pozitive edhe ky akt i fundit që e bëjnë BDI dhe PDSH, pasi që është tepër vonë. Ata e panë më humnerën. Sikur kur i lëshon në ujë dhe vija ajo ujëvarra kur secili duhet ta shpëtojë vetveten, ata u kapën diku dhe shpëtuan, ndërsa Gruevski vazhdon”, ka deklaruar analisti politik Ismet Ramadani.

Ruzhin e porositi Ali Ahmetin që të mos ia mbrojë shpinën Gruevskit, duke përshëndetur vendimin për të mos shkuar në zgjedhje, pavarësisht se kush e ka bindur për një gjë të tillë. Ndërsa Ramadani vlerëson se faktori ndërkombëtar më nuk do të lejojë ardhjen në pushtet të garniturës aktuale. Zgjedhjet do të shtyhen derisa të krijohen kushte për të fituar opozita shqiptare dhe maqedonase.

Ferikan Iljazi /SHENJA/

Shekulli Agency