Studim, agjërimi ngadalëson plakjen dhe djeg yndyrërat

Imitimi i urisë përgjatë pesë ditëve në muaj mund të reduktojë efektin e plakjes si dhe mund të ndihmojë në luftën kundër disa sëmundjeve të caktuara siç është hipertensioni, flasin të dhënat nga një studim i publikuar të mërkurën, raporton (AA).

Në një eksperiment me 100 pjesëmarës, gjysma prej tyre kanë ngrënë normalisht për të shumtën e muajit, mirëpo më vonë ata kanë konsumuar për pesë ditë radhazi ushqim me vlerë mes 700 dhe 1.100 kalori, në atë të cilën shkencëtarët e quajtën “imitim i agjërimit”. Pjesëmarrësit, shumica nga të cilët me mbi peshë, mirëpo jo obezë, përsëritën procesin e agjërimit për gjashtë muaj.

Pjesa tjetër e pjesëmarrësve në eksperiment kanë ngrënë normalisht. Në fund të studimit ka rezultuar se personat në dietë kanë humbur mesatarisht 2.6 kilogramë.

Humbja e peshës nuk ka qenë i vetmi përfitim i tyre pasi shkencëtarët kanë konstatuar edhe uljen e shtypjes së gjakut.

Hulumtimi ka qenë i financuar nga Instituti Kombëtar i Plakjes dhe Instituti Kombëtar për Kancer dhe i njëjti është publikuar në buletinin Mjekësia Shkencore, ndërsa është zbatuar nga shkencëtarët e Universitetit Kalifornia Jugore.

“Pesha trupore, indeksi i masës trupore, yndyra e përgjithshme, perimetri i belit, presioni sistolik dhe diastolik i gjakut, holesteroli, faktori i rritjes së insulinës, 1 (IGF‐1) dhe proteina C-Reaktive u reduktuan në masë të madhe, në veçanti tek pjesëmarrësit të cilët vuanin nga sëmundjet, ndërsa u shtua masa e muskujve dhe eshtrave”, thuhet në studimin e publikuar.

“Niveli i ulët i IGF-1 ndërlidhet me uljen e rrezikut nga kanceri dhe diabeti. Nuk janë raportuar efekte serioze negative”, thuhet më tej.

Dieta e agjërimit në të cilën konsumohet vetëm ujë ose një sasi shumë e ulët e kalorive, është bërë së fundmi shumë e popullarizuar, por studiuesit paralajmërojnë se këto dieta ekstreme janë të rrezikshme dhe të vështirë për t’u mbajtur.

Ata besojnë se koncepti i “imitimit të urisë” është më i sigurt dhe më i lëhtë për njerëzit në dietë.

Ekipi tani dëshiron të bëjë një studim shumë më të madh, të motivuar nga zbulimi se personat e rrezikuar nga sëmundjet që lidhen me obezitetin kanë pasur përfitimin më të madh.

“Nevojitet një studim më i madh në mënyrë që këto rezultate të replikohen, por ata kanë ngritur çështjen se agjërimi mund të jetë një rrugë praktike për një sistem të shëndoshë metabolik”, kanë shkruar studiuesit.

Shekulli Agency