NASA: Asteroidi ‘2012 TC4’ fluturoi shumë afër Tokës

Sipas Agjencisë Hapësinore Amerikane NASA, herët të enjten një asteroid me përmasa të një shtëpie të vogël ka kaluar shumë afër planetit Tokë.

Astronomët theksuan se shkëmbi i hapësirës ‘2012 TC4’, kurrë nuk pritej të godiste planetin, edhe pse ai erdhi shumë afër.

Siç bën të ditur NASA, asteroidi u afrua vetëm 42 mijë kilometra mbi Antarktidë. Hëna është rreth 385 mijë kilometra mbi Tokë.

Duke u bazuar në emrin e tij, asteroidi për herë të parë u zbulua në vitin 2012 nga një teleskop në Hawaii. Astronomët e harruan atë për disa vite para se ta vëzhgonin përsëri në korrikun e kaluar, nga ku ata vlerësuan se do të fluturojë pranë skajit jugor të Tokës.

“Shkencëtarët gjithmonë e kanë vlerësuar se kur një asteroid do të bëjë një afrim dhe kur do të kalojë në mënyrë të sigurtë Tokën, ata mund të bëjnë përgatitjet për të mbledhur të dhëna për të karakterizuar, si dhe për të mësuar sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Mixhael Kelley, shkencëtar i NASA-s që drejtoi fushatën për të vëzhguar asteroidin.

NASA vlerësoi se përmasat e asteroidit ‘2012 TC4’ janë nga 10 deri në 15 metra në diametër. Edhe nëse ai përplasej në atmosferën e Tokës, shkencëtarët nuk ishin shumë të shqetësuar për dëmtime të mëdha.

NASA tha se një përplasje e mundshme do të kishte rezultuar në një top zjarri masiv, pasi shkëmbi do të digjej në qiell.

NASA theksoi se për 100 vitet e ardhshme asnjë asteroid nuk është parashikuar të godasë Tokën.

Më pak se një ditë më vonë, asteroidi është tashmë në një udhëtim larg Tokës. Rreth 14 orë pas kalimit të tij nga Toka, ai kaloi hënën në një distancë prej rreth 277 mijë kilometrash.

Shekulli Agency