Astronautët e lançuar nga NASA dhe SpaceX arritën në stacionin e hapësirës

Kompania private SpaceX e biznesmenit Elon Musk ka dërguar me sukses një ekuipazh prej katër astronautësh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), transmeton (AA).

Përmes një kumtese, agjencia amerikane hapësinore NASA njoftoi se anija kozmike Crew Dragon e kompanisë SpaceX që transportonte astronautët e NASA-s Michael Hopkins, Victor Glover dhe Shannon Walker, si dhe astronautin e Agjencisë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor, Soichi Noguchi, arriti në ISS.

Katër astronautët janë bashkuar me ekuipazhin e Ekspeditës 64 që përfshin Inxhinieren e Fluturimit të NASA-s Kate Rubins, Komandantin e ISS-së Sergey Ryzhikov dhe Inxhinierin e Fluturimit Sergey Kud-Sverchkov nga Rusia, të cilët kishin mbërritur në stacion më 14 tetor.

Fluturimi Crew-1 i kompanisë SpaceX u lançua dje me një raketë Falcon 9 nga Qendra Hapësinore “Kennedy” e NASA-s në Florida.

Ky është misioni i parë me ekuipazh, ndërsa priten edhe misione tjera në të cilat NASA dhe SpaceX së bashku do të fluturojnë si pjesë e programit komercial me ekuipazh.

Anija e parë kozmike Crew Dragon e kompanisë SpaceX në muajin maj transportoi në ISS dy astronautë të NASA-s, Robert Behnken dhe Douglas Hurley. Ky lançim ishte misioni i parë me ekuipazh nga SHBA që nga viti 2011.

Shekulli Agency