Të akuzuarit e “Monstrës” janë përgjuar dy vjet para rastit

monstra-9888Të dënuarit e rastit “Monstra” kanë qenë të përgjuar nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim dy vite para se të ndodhte vrasja, deri në momentin e ngjarjes. Kjo sipas Javores “Fokus” e cila thirret në burime anonime.

“Pritjet janë se këto biseda, të cilat nuk janë përdorur në procedurë gjyqësore, mund ta ndërrojnë rrjedhën e deritanishme të rastit dhe përfundimisht të zbulohet porositësi dhe motivi i vërtet”, shkruan Fokus.

Fokus shtron disa dilema; përse nëse shërbimet kanë pasur njohuri për rastin nuk e kanë parandaluar, ose nëse dihet se personat janë përgjuar a do të thotë kjo se rasti ka qenë i montuar dhe se porositësit dhe autorët po fshihen diku tjetër.

“Vallë Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka pasur njohuri se do të ndodhë një vrasje e pesëfishtë  dhe nëse po përse nuk e kanë parandaluar? Poashtu me rëndësi është që të zbulohet nëse fakti që të dënuarit kanë qenë të përgjuar para ngjarjes do të thotë se rasti “Monstra” është i montuar  ndërsa porositësit dhe autorët  po fshihen  ashtu siç edhe dyshojnë familjarët e të vrarëve dhe të dënuarve”, theksohet më tej në tekstin e javores.

Sipas Fokusit, Vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviç, Haki dhe Fejzi Aziri dhe Alil Demiri  kanë qenë personat e përgjuar. Por më së shumti është përgjuar Halil Demiri telefoni i të cilit ishte përgjuar dy vite para se të ndodhte vrasja.

Fokus kujton se personi më i përgjuar Halil Demiri është kapur në vitin 2009 duke transportuar armë dhe edhe pse për vepra të tilla menjëherë shqiptohet paraburgim, Demirit nuk i është shqiptuar një masë e tillë.

Ky është një prej rasteve më të ndjeshme të viteve të fundit për shqiptarët e Maqedonisë të cilët me ashpërsi e kundërshtuan vendimin për burg të përjetshëm për pesë të akuzuar për vrasjen e djemve të ri në Liqenin e Smillkovës.

Që në konferencën e parë Prokuroria Specila nuk kishte përgjigje të qartë nëse do ta merr rastin Monstra i cili është me interes edhe për shqiptarët por edhe për maqedonasit. Vazhdimisht prolongohej përgjigja me atë se po analizohen të dhënat dhe fillimisht do duhet të konfirmohet se PSP ka kompetenca mbi këtë rast dhe më pas të kërkohet lënda nga Prokuroria e rregullt e Marko Zvërlevskit të cilët kanë kërkuar disa herë nga Janeva që ta dëshmojë se ajo e ka kompetencën e hetimit.

Prokuroria Speciale e vlerëson si pengesë kryesore ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve i cili do ti ndihmonte që të fillojë me hetime më të thella për Sopotin dhe Monstrën. Edhe pse u propozuan ndryshimet e nevojshme që vetëm Janeva ti dijë se kush janë dëshmitarët e mbrojtur, VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH nuk i votuan ndryshimet.

Rasti “monstra” gjenden për momentin në duart e Gjykatës Supreme e cila duhet të vendos nëse do ta pranojë ankesën e të dënuarve për këtë rast dhe do ta kthejë në rigjykim ose do të zvogëlojë dënimin, ose do ta konfirmojë vendimin e gjykatave paraprake.

Ferikan Iljazi Arifi  /SHENJA/

Shekulli Agency